Kapiteni i Manchester Unitedit, Bruno Fernandes ka deklaruar se objektivi i tij kryesor është ta rikthejë klubin në majën e futbollit anglez duke fituar Premier League.
Portugezi, i cili iu bashkua “Djajve të Kuq” në vitin 2020, ka fituar deri tani dy trofe – Kupën e Ligës në sezonin 2022/23 dhe FA Cup një vit më pas – por ka përjetuar edhe zhgënjime në finale, përfshirë Ligën e Evropës dhe FA Cup.
Në një intervistë për “The Sunday Times”, Fernandes theksoi se ambicia për trofe është arsyeja kryesore pse një lojtar zgjedh Manchester Unitedin.
“Pritshmëritë janë gjithmonë që të fitojmë Ligën Premier. Njerëzit mund të mendojnë se vjen për para apo kontrata më të mira, por jo – te Manchester United vjen për të fituar trofe”.
Mesfushori shtoi se historia dhe madhështia e klubit janë faktorët kryesorë që e motivojnë.
“Para mund të fitosh kudo. Shumë klube në Angli, Itali apo Spanjë paguajnë mirë. Por këtu vjen për historinë dhe për atë që mendon se mund të arrish”.
Fernandes ishte i lidhur me një transferim të madh në Arabinë Saudite verën e kaluar, por ai e bëri të qartë se dëshiron të qëndrojë në “Old Trafford”, për aq kohë sa klubi ndan të njëjtin ambicie.
“Ajo që i them gjithmonë klubit është se nuk mund të më premtojnë titullin – kjo është e pamundur. Por nëse më premtojnë se do të jemi konkurrues, kjo më mjafton.”
“Nga aty varet nga unë të bëhem versioni më i mirë i vetes dhe të ndihmoj të tjerët që të arrijnë nivelin më të lartë, që të bëhemi klubi që duam të jemi”.
Këtë edicion Man United po lufton për t’u rikthyer në Ligën e Kampionëve, ndërsa renditen në pozitën e tretë në kampionatin anglez. “Djajtë e Kuq” të hënën mbrëma e zhvillojnë përballjen me Leeds Utd./Telegrafi/