Burimi: The Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com
Presidenti Volodymyr Zelensky ka bërë një kompromis të rëndësishëm që mund të lehtësojë rrugën drejt paqes në Ukrainë. Në një tërheqje të habitshme nga mocioni parlamentar i shkurtit të vitit 2019 – që sanksiononte në Kushtetutë synimin e Ukrainës për anëtarësim në NATO – Zelensky tani është i hapur ndaj braktisjes së kërkesës së Kievit për t’u anëtarësuar në bllokun euroatlantik.
Gatishmëria e Zelenskyt për të ndërmarrë këtë hap të jashtëzakonshëm varet nga sigurimi i garancive të fuqishme të sigurisë nga partnerët perëndimorë të Ukrainës. Efikasiteti i këtyre garancive mbetet i paqartë. Nëse ato marrin formën e një kontingjenti paqeruajtës me mijëra trupa evropiane, Rusia mund të llogarisë se rreziqet e një lufte të re janë shumë të larta. Në fund të fundit, shantazhi bërthamor i Kremlinit dhe retorika për një Luftë të Tretë Botërore nuk janë përkthyer kurrë në një përballje të drejtpërdrejtë me një aleat të NATO-s.
Nëse kontingjentet ushtarake janë më të vogla dhe ShBA-ja qëndron larg procesit, Rusia mund të trimërohet dhe të rrezikojë duke u mbështetur në vendosmërinë e dobët evropiane. Në këtë skenar, një përsëritje e Memorandumit të Budapestit të vitit 1994 bëhet e mundshme dhe perspektiva e një tjetër marshimi rus drejt Kievit bëhet gjithnjë e më e afërt.
Teksa vendet perëndimore janë relativisht të bashkuara në dëshirën për ta parë të realizuar skenarin e parë optimist, kanë munguar diskutimet përmbajtjesore për mënyrën e parandalimit të agresionit rus. Parandalimi i besueshëm nuk mund të vijë pas një ripushtimi nga Rusia, por gjatë periudhës së gjatë të ndërtimit të mundshëm të një sulmi të ri rus.
Garancitë e sigurisë duhet të mbrojnë në mënyrë gjithëpërfshirëse kundër veprimeve hibride përshkallëzuese të Rusisë, që mbeten nën pragun e Nenit 5 të NATO-s, dhe duhet të shoqërohen me investime globale në rindërtim. Kjo amalgamë siguron që Rusia të kuptojë se çdo shkelje e sovranitetit të Ukrainës sjell pasoja, ndërsa krijon një përfitim për paqe që mund ta izolojë plotësisht Moskën nëse ajo nxit një luftë tjetër.
Edhe nëse përpjekjet e zjarrta diplomatike të presidentit Donald Trump çojnë në një marrëveshje paqeje, është e pamundur që Rusia të ndalojë përpjekjet për të minuar sovranitetin e Ukrainës. Kjo pasqyron bindjen e presidentit rus, Vladimir Putin, për paligjshmërinë e një Ukraine të pavarur dhe kjo vihet re në historinë e fundit të Ukrainës.
Gjatë periudhave të një paqeje relative përpara pushtimit të plotë të shkurtit 2022, Rusia përdori si armë eksportet e gazit përmes tubacioneve që kalojnë nëpër Ukrainë, përdori para të pista për të ndikuar zgjedhjet presidenciale në drejtimin që preferonte, ndërsa kreu sulme kibernetike ndaj infrastrukturës kritike ukrainase.
Këto taktika hibride penguan rrugëtimin e Ukrainës drejt konsolidimit demokratik dhe rilindjes ekonomike, dhe hapën rrugën për luftë në shkallë të plotë. Rusia ishte në gjendje të kryente këto veprime destabilizuese pa u ndëshkuar, sepse NATO nuk ndërmori hapa për t’i parandaluar këto aktivitete në vende të tjera.
Gjatë sulmeve shkatërrimtare kibernetike të vitit 2007 kundër Estonisë, NATO deklaroi se vendi nuk po përballej me “sulm të armatosur” dhe Neni 5 nuk u aktivizua. Pavarësisht shkeljeve të përsëritura të kufijve të Gjeorgjisë nga Rusia pas luftës së vitit 2008 – dhe rolit të saj në konsolidimin e pushtetit diktatorial të Bidzina Ivanishvilit – asnjë zyrtar rus nuk u sanksionua.
Garancitë e besueshme të sigurisë duhet të ballafaqohen me reagime të ashpra për sulmet hibride të Rusisë ndaj Ukrainës. Edhe nëse Ukraina nuk mund të bëhet zyrtarisht anëtare e NATO-s, forcat e saj të pavarura kibernetike duhet të integrohen në strukturat e aleancës. Amerika dhe BE-ja duhet të investojnë në zhvillimin e shoqërisë civile ukrainase dhe të sanksionojnë akterët vendorë që ndihmojnë ndërhyrjet elektorale të Rusisë.
Nëse Rusia përdor akte sabotimi ndaj infrastrukturës kritike ukrainase apo dhunë politike, përpjekjet e saj të pasluftës për t’u rilidhur me Perëndimin duhet të ndalohen pa kompromis. Duke i treguar Rusisë se të gjitha format e agresionit ndaj Ukrainës janë të papranueshme, Kremlini do të ketë më pak gjasa të llogarisë gabimisht rreziqet e një lufte të në shkallë të plotë.
Përderisa do të ketë tundim nga akterët e jashtëm për të fituar paqen, një Ukrainë e paangazhuar ushtarakisht, por e mbështetur nga Perëndimi, duhet të përpiqet të tërheqë investime nga çdo burim i mundshëm. Nëse vendet miqësore ndaj Rusisë – si Kina, India, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe – janë të përfshira në proces, Kremlini do të mendohet dy herë për agresionet të cilat mund të dëmtojnë interesat e partnerëve të tij.
Nëse vendet jashtë Perëndimit mund të konsultohen apo përfshihen në dhënien e garancive të sigurisë për Ukrainën, përfitimi i paqes do të rritet ndjeshëm.
Garancitë e sigurisë janë më shumë sesa premtime të paqarta dhe dislokime simbolike trupash. Që të jenë të besueshme, ato duhet të parandalojnë agresionin rus në çdo hap dhe të rrisin ndjeshëm koston e luftës. /Telegrafi/