Ushtria izraelite të martën vazhdoi të vendosë trupa pranë kufirit izraelito-libanez, në kulmin e përleshjeve me Hezbollahun në jug të Libanit.
Paralelisht me këtë proces, ushtria izraelite dërgoi një paralajmërim për evakuimin e periferive jugore të Bejrutit para sulmit ndaj Hezbollahut.
“Veprimtaritë terroriste të Hezbollahut e detyrojnë IDF-në të veprojë kundër tyre me forcë. IDF nuk ka për qëllim t’ju dëmtojë. Për sigurinë tuaj, duhet të evakuoni shtëpitë tuaja dhe të largoheni menjëherë deri në një njoftim të ri”, tha zëdhënësi i ushtrisë, koloneli Avichay Adraee.
Nga ana tjetër, Hezbollahu njoftoi se në jug të Libanit i ka shkaktuar humbje të mëdha ushtrisë izraelite dhe se gjatë sulmeve janë shkatërruar disa tanke, ndërsa kanë mbetur të vrarë edhe shumë ushtarë.
– YouTube www.youtube.com
Hezbollahu ka përdorur raketa të tipit “Fattah-110”. Bëhet fjalë për një raketë me një kokë luftarake të rëndë dhe të madhe, e aftë të arrijë një rreze veprimi prej qindra kilometrash.
Ish-komandanti i mbrojtjes kundërajrore të Izraelit, Zvika Haimovich, i përshkroi këto raketa si shumë të rënda dhe precize, duke shtuar se Hezbollahu ka qindra të tilla.
Një nga zyrtarët izraelitë i tha gjithashtu Kanalit 13 se ushtria e kishte vlerësuar gabimisht forcën e grupit libanez.
“Ne e vlerësuam gabim fuqinë e Hezbollahut, nuk mendonim se do të përdornin këtë taktikë”, tha ai.
Hezbollahu nuk u ndal vetëm te pritët dhe përplasjet e drejtpërdrejta, por goditi edhe një stacion satelitor të komunikimit që i përket Departamentit për mbrojtje kibernetike dhe komunikime të ushtrisë izraelite, i cili është përshkruar si “zemra e sistemeve të komunikimit”. /Telegrafi/