Rrëfime tronditëse për dhunë sistematike ndaj grave shqiptare të burgosura kanë dalë në dritë nga Burgu i Prishtinës – paralelja për femra në Lipjan, ku ish-gardiania Nadica Cepkenoviq akuzohet për keqtrajtime fizike dhe psikologjike.
Një nga viktimat, Zahrije Podruqa, e cila ishte dënuar me katër vjet burg në vitin 1998, ka rrëfyer përjetimet e saj gjatë kohës së vuajtjes së dënimit, duke thënë se torturat e ushtruara ndaj saj i kanë mbetur të gjalla në kujtesë edhe sot.
Sipas Podruqës, ajo ishte subjekt i keqtrajtimeve të vazhdueshme për muaj të tërë, duke u përballur me dhunë fizike dhe presion të rëndë psikologjik. Ajo ka deklaruar se ndaj saj është ushtruar dhunë në mënyrë të përsëritur dhe të organizuar.
Podruqa ka rrëfyer gjithashtu se i ishte kërkuar të shkelte fotografinë e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, gjë që ajo e kishte refuzuar kategorikisht, pavarësisht presionit dhe dhunës së ushtruar ndaj saj.
“Për çdo muaj rregullisht kam qenë e torturuar, pa ndërprerje. Vendosej magnetofoni me zë të lartë që të mos dëgjoheshin britmat. Më kanë çuar në një dhomë bodrumi dhe më kanë thënë se aty ‘i kemi gri shqiptarët’ dhe se edhe unë do të deportohesha. Më kanë detyruar të zhvishem dhe më kanë kërkuar të shkel fotografinë e Hashim Thaçit, por nuk e kam bërë”, ka rrëfyer Podruqa.
Ajo ka shtuar se, pavarësisht torturave, ka refuzuar të nënshtrohet dhe se në fund kishte kërkuar që ta vrisnin, por jo të shkelte fotografinë, të cilën e kishte marrë dhe e kishte vendosur në gjoks.
Rrëfimet e saj janë pjesë e dëshmive që po dalin në kuadër të hetimeve dhe proceseve gjyqësore lidhur me krimet e kryera ndaj të burgosurave shqiptare gjatë luftës, ndërsa autoritetet pritet të trajtojnë përgjegjësinë penale të personave të akuzuar për këto veprime.