Qytetarët në Irlandë po bllokojnë rrugët me traktorë dhe kamionë për shkak të rritjes së çmimeve të karburanteve, ndërsa qeveria ka vendosur të dërgojë ushtrinë për të ndërhyrë.
Protestat kanë përfshirë fermerë, transportues dhe punëtorë të tjerë që varen nga karburanti, të cilët kanë dalë në rrugë me mjete të rënda për të bllokuar arteriet kryesore të trafikut dhe depot e karburanteve.
Kjo ka shkaktuar kaos në trafik dhe ndërprerje në furnizim, duke përfshirë mungesa të karburantit dhe probleme në transportin publik, raporton reuters.
– YouTube youtu.be
Protestuesit thonë se çmimet e larta të naftës dhe benzinës po i godasin rëndë financiarisht dhe kërkojnë ndërhyrje më të fortë nga qeveria, përfshirë ulje taksash dhe kufizim të çmimeve.
Nga ana tjetër, qeveria irlandeze ka dënuar bllokadat, duke i cilësuar si të papranueshme dhe të dëmshme për ekonominë dhe furnizimin e vendit. Autoritetet paralajmëruan masa ligjore ndaj protestuesve dhe kërkuan lirimin e rrugëve.
Për shkak të përshkallëzimit të situatës, ushtria është angazhuar për të ndihmuar policinë në largimin e kamionëve dhe traktorëve që po bllokojnë infrastrukturën kritike, përfshirë depot e karburantit.
Në disa zona, protestat kanë rrezikuar furnizimin me karburant, ushqime dhe shërbime emergjente, duke rritur presionin mbi qeverinë për të gjetur një zgjidhje të shpejtë. /Telegrafi/