Drejtori sportiv i Milanit, Igli Tare, ka folur për formën e skuadrës, të ardhmen e portierit Mike Maignan, si dhe pritshmëritë për mesfushorin e ri Ardon Jashari, ndërsa ka komentuar gjithashtu mbi situatën e sulmuesit Christopher Nkunku.
“Tabela tregon se po kalojmë një periudhë pozitive. Gjysma jonë e parë e sezonit pati disa rezultate të rëndësishme. Ka ende shumë për të përmirësuar, por ne jemi optimistë dhe e kuptojmë se duhet të bëjmë sa më pak gabime të jetë e mundur deri në fund të sezonit”, tha Tare për DAZN Italia.
Në lidhje me Maignan, negociatat për një kontratë të re morën një kthesë të papritur, pas një periudhe ku largimi i tij dukej i sigurt.
Tare konfirmoi se portieri francez dëshiron të qëndrojë dhe është në prag të nënshkrimit të një zgjatjeje.
“E dimë që raporti me Mike është i jashtëzakonshëm. Atij i pëlqen projekti i Milanos dhe dëshiron të qëndrojë. Duhet të presim derisa të jepet drita jeshile, por jam i bindur se arsyeja e shëndoshë do të triumfojë dhe ai do të jetë një figurë kyçe për të ardhmen e këtij projekti.”
2024/05/Mike-Maignan.jpg telegrafi.com
Sa i përket Ardon Jasharit, Tare shprehu pritshmëri të mëdha për mesfushorin pas rikthimit nga lëndimet që e mbajtën jashtë për katër muaj.
“Kemi pritshmëri të mëdha për të, pasi tregoi disa performanca të mrekullueshme sezonin e kaluar. Ai ka luajtur shumë më mirë në dy muajt e fundit, duke marrë minuta në Serie A, Kupën e Italisë dhe Superkupën, duke dëshmuar se i përket një klubi si Milani”, tha Tare. /Telegrafi/