Ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto, deklaroi se Hungaria ka marrë një hap radikal dhe do të bllokojë fondet financiare për Ukrainën.
Hungaria mori këtë vendim sepse, sipas mendimit të Budapestit, Ukraina po bllokon eksportin e naftës që vjen përmes tubacionit Druzhba.
“Ne po bllokojmë kredinë e BE-së për Ukrainën prej 90 miliardë eurosh derisa të rifillojë tranziti i naftës drejt Hungarisë përmes tubacionit Druzhba. Ukraina po shantazhon Hungarinë duke ndaluar tranzitin e naftës, në koordinim me Brukselin dhe opozitën hungareze, me qëllim që të shkaktojë çrregullime në furnizimin në Hungari dhe të rrisë çmimet e karburantit para zgjedhjeve,” tha Szijjarto.
Ai gjithashtu nënvizoi se Ukraina po shkel rregullat e Bashkimit Evropian.
“Duke bllokuar tranzitin e naftës drejt Hungarisë përmes tubacionit Druzhba, Ukraina po shkel Marrëveshjen e Asociimit midis BE-së dhe Ukrainës, duke mos përmbushur detyrimet e saj ndaj Bashkimit Evropian. Ne nuk do t’i nënshtrohemi këtij shantazhi”, theksoi shefi i diplomacisë hungareze.
Mesazhe të ngjashme dha edhe kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban.
“Derisa Ukraina të bllokojë tubacionin e naftës ‘Druzhba’, Hungaria do të bllokojë kredinë ushtarake ukrainase prej 90 miliardë eurosh. Nuk duhet të jemi të shantazhuar”, tha ai. /Telegrafi/