Me mbi 83 për qind të votave të numëruara për kandidatët për deputetë, tashmë është bërë e qartë pjesa dërrmuese e emrave që kanë siguruar ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Edhe pse nuk arritën të bëhen kryetarë komunash në zgjedhjet lokale, një numër i konsiderueshëm ish-kandidatësh për këtë pozitë kanë arritur të fitojnë mandat deputeti në zgjedhjet parlamentare.
Sipas të dhënave nga procesi i numërimit, së paku 10 ish-kandidatë për kryetarë komunash nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) tashmë e kanë siguruar mandatin e deputetit, raporton Telegrafi.
Nga radhët e LVV-së, mandat deputeti kanë fituar:
Hajrulla Çeku (Prishtinë) – mbi 85 mijë vota
Rufki Suma (Hani i Elezit) – mbi 29 mijë vota
Ardian Gola (Gjakovë) – mbi 26 mijë vota
Artan Abrashi (Prizren) – mbi 18 mijë vota
Taulant Kelmendi (Pejë) – mbi 18 mijë vota
Enver Haliti (Ferizaj) – mbi 17 mijë vota
Jeton Raka (Kaçanik) – rreth 17 mijë vota
Arsim Ademi (Viti) – mbi 16 mijë vota
Sylejman Meholli (Vushtrri) – rreth 16 mijë vota
Valon Hoti (Malishevë) – rreth 15 mijë vota
Afër sigurimit të mandatit është edhe ish-kandidati i LVV-së për kryetar të Rahovecit, Ali Dula, i cili deri më tani ka grumbulluar rreth 13 mijë vota.
Ndërkaq, nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), mandat deputeti kanë siguruar dy ish-kandidatët për kryetarë komunash:
Arian Tahiri (Prishtinë) – mbi 60 mijë vota
Uran Ismaili (Mitrovicë) – mbi 44 mijë vota
Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), mandat deputeti ka siguruar ish-kandidati për kryetar të Prishtinës:
Bekë Berisha – mbi 14 mijë vota
Procesi i numërimit është duke vazhduar, ndërsa rezultatet përfundimtare do të certifikohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve./Telegrafi/