Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së martës në fshatin Bajnicë të Kaçanikut, ku një burrë 59-vjeçar ka humbur jetën pasi ka rënë në një bunar që ndodhej në oborrin e shkollës së fshatit.
Rastin e ka konfirmuar për Telegrafin zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.
Ai bëri të ditur se rasti është raportuar në orët e mbrëmjes, ndërsa menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore, ekipet e zjarrfikësve dhe shërbimet emergjente.
Sipas Veselit, rreth orës 22:30, pas angazhimit të ekipeve të zjarrfikësve dhe vullnetarëve, është arritur të nxirret trupi i viktimës nga bunari dhe se mjeku kujdestar ka konstatuar se 59-vjeçari ishte pa shenja jete.
“Për të gjitha veprimet policore është njoftuar prokurori i shtetit dhe me vendim të tij, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi. Rasti është cilësuar si vdekje e dyshimtë”, ka deklaruar Veseli.
Autoritetet po vazhdojnë hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje tragjike./Telegrafi/