Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha ka thënë sot se ndër problemet kryesore është rritja e numrit të aksidenteve me fatalitet.
Hoxha i cili ishte i pranishëm në prezantimin e raportit vjetor për vitin 2025 të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë tha se nga viti 2000 deri më sot Kosova ka humbur mbi 3 mijë e 111 persona në trafik.
Hoxha theksoi se një nga prioritetet kryesore të Policisë së Kosovës do të jetë siguria në trafik, ku nevojitet mbështetja e komunave dhe Ministrisë së Infrastrukturës.
“Kosova që nga viti 2000 mijë deri më sot i ka humbur mbi 3 mijë e 111 njerëz në trafik. Është një numër i madh i jetëve të humbura në trafik dhe një prej prioriteteve ka me qenë siguria në trafik. Por, që këtë punë policia nuk mund ta bëjë e vetme, na duhet mbështetja e komunave, e ministrisë së infrastrukturës dhe e gjithë shoqërisë sidomos te vetëdijesimi i njerëzve”, tha Hoxha, raporton kp.
Në fund pjesëtarë të policisë së Kosovës u nderuan edhe me mirënjohje nga drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.