Komuna e Gjakovës, në bashkëpunim me KRM “Çabrati”, ka realizuar sot pastrimin e deponisë ilegale të mbeturinave në zonën e urës në Osek Pashë, duke apeluar për përgjegjësi qytetare dhe respektim të ligjit.
Sipas njoftimit zyrtar, ndërhyrja është realizuar me mjetet e siguruara nga taksat e qytetarëve, ndërsa ndotja e mjedisit është shkaktuar nga individë që kanë hedhur mbeturina në mënyrë të jashtëligjshme. Komuna ka vlerësuar se kjo sjellje përbën shkelje të ligjit dhe dëm të drejtpërdrejtë ndaj mjedisit dhe qytetit.
“Komuna e Gjakovës, në bashkëpunim me KRM Çabrati, sot ka pastruar deponinë e mbeturinave tek ura në Osek Pashë. Kjo ndërhyrje u realizua me taksat e qytetarëve të përgjegjshëm, ndërsa ndotja u shkaktua nga individë që zgjodhën të hedhin mbeturina në mënyrë ilegale” thuhet në njoftim.
Komuna ka paralajmëruar masa shtesë për parandalimin e rasteve të tilla, përfshirë vendosjen e kamerave mobile në pikat problematike. “Drejtoria për Inspektime, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, shumë shpejt do të vendosë kamera mobile në pikat e etiketuara si problematike” thuhet më tej.
Autoritetet komunale kanë ftuar qytetarët që të raportojnë çdo rast të hedhjes së jashtëligjshme të mbeturinave, duke theksuar se bashkëpunimi i komunitetit është thelbësor për ruajtjen e mjedisit dhe përmirësimin e cilësisë së jetës në qytet. /Telegrafi/