Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka folur pas takimit konsultativ me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, lidhur me zhvillimet politike dhe mundësinë e organizimit të zgjedhjeve të reja parlamentare.
Haradinaj bëri të ditur se në këtë takim janë diskutuar disa data të mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve, ndërsa si opsione janë përmendur 5, 12 dhe 19 prilli megjithëse sipas tij mund të ketë edhe data të tjera në varësi të zhvillimeve.
“Sapo përfundoi takimi dhe rrjedhimisht presidentja ka vepruar në bazë të kompetencave që i ka, me dekretin për shpërndarjen e Kuvendit”, tha Haradinaj.
Ai komentoi edhe mungesën në takim të kryetarit të Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti.
“Mospjesëmarrja e LVV-së, kuptohet edhe Lista Serbe mungoi në këtë takim. Mosardhja e tyre sot, qoftë edhe me mendime të kundërta për t’i ballafaquar dhe për t’i paraqitur në këtë takim që është më i larti i mundshëm i partive politike me presidenten e vendit për një temë kaq të ndjeshme, është një lloj thyerje për vendin dhe institucionet”, u shpreh ai.
Haradinaj shtoi se lideri i LVV-së në të kaluarën është takuar shpesh me partitë opozitare për konsultime, prandaj sipas tij mosprania në këtë takim nuk është veprim i duhur.
Ai kritikoi gjithashtu dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, duke e cilësuar si një veprim të panevojshëm.
“Mendoj që adresimi në Kushtetuese është një fyerje në vetvete me procesin. Ata e kanë ditur afatin 30-ditor dhe kanë bërë hajgare edhe me thirrjen e seancës dje. Në çfarëdo situate duhet ta ruajmë nderin. Askush nuk ia ka fajin LVV-së për sjelljen e tyre”, tha Haradinaj.
Sa i përket datës së zgjedhjeve, ai theksoi se partia që ai drejton nuk ka ndonjë preferencë të veçantë.
“Datat mund të jenë opsionet 5, 12 dhe 19 prill. Mund të ketë edhe ndonjë datë tjetër për shkak të zhvillimeve, por ne nuk kemi ndonjë datë të preferuar. Ne e respektojmë cilëndo datë nga këto data”, deklaroi Haradinaj. /Telegrafi/