Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, zhvilloi këtë javë një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku pati një takim me kongresmenin amerikan Keith Self, Kryetar i Nënkomisionit për Evropën në Komisionin e Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve.
Gjatë takimit, Haradinaj falënderoi kongresmenin Self për mbështetjen e palëkundur ndaj Kosovës dhe shprehu mirënjohjen e tij për rolin e SHBA-ve në qëndrimin krah kombit shqiptar, nga liria deri te demokracia dhe pavarësia.
Ai theksoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO, duke e cilësuar si rrugën e drejtë për të ardhmen dhe për forcimin e partneritetit strategjik mes dy vendeve.
Kongresmeni Self, ish-oficer me 25 vjet shërbim në Ushtrinë Amerikane dhe i diplomuar në West Point, ka përvojë të gjerë në Forcat Speciale dhe misione ndërkombëtare, duke i dhënë takimit një karakter të veçantë dhe profesional.
Haradinaj u shpreh i nderuar për mundësinë e bashkëbisedimit dhe për thellimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara./Telegrafi./