Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka dhënë një deklaratë pas takimit me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ku u diskutua procesi i zgjedhjes së Presidentit dhe zhvillimet politike në vend.
Hamza theksoi se zgjedhja e Presidentit nuk është çështje e një partie të vetme, por përgjegjësi e të gjithë përfaqësuesve të zgjedhur të popullit.
Ai shtoi se si subjekt opozitar, PDK-ja nuk ka qenë dhe nuk do të jetë pengesë e proceseve shtetërore, por nuk do të mbështesë kandidatura që nuk reflektojnë unitetin qytetar dhe frymën kushtetuese.
“Kemi dhënë përgjigje pozitive ndaj ftesës së z. Kurti për të diskutuar për zhvillimet politike dhe procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri të vendit. Stabiliteti institucional është jetik dhe duhet trajtuar si i tillë”, tha Hamza, duke shtuar se çdo kandidaturë duhet të ketë mbështetje të gjerë dhe të shmangë kalkulimet afatshkurtra partiake.
Në fund tha se për PDK-në, interesi shtetëror është mbi çdo llogari politike dhe se ky standard do të mbahet me vendosmëri./Telegrafi.