Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka reaguar pas vendimit të Bashkimit Evropian për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, duke e cilësuar atë si një hap të mirëpritur, por të vonuar.
Sipas Hamzës, këto masa ishin pasojë e tensioneve dhe mungesës së koordinimit të Qeverisë me aleatët ndërkombëtarë, por ai theksoi se progresi nuk mund të arrihet përmes ndëshkimit, por përmes partneritetit dhe bashkëpunimit.
“Heqja e masave nga Bashkimi Evropian është një vendim i vonuar, por i mirëpritur. Këto masa u vendosën si pasojë e tensioneve dhe moskoordinimit politik të kësaj Qeverie me aleatët tanë, megjithatë progresi nuk mund të arrihet përmes ndëshkimit, por përmes bashkëpunimit”, tha Hamza.
Ai shtoi se historikisht problemi për Evropën ka qenë Serbia dhe jo Kosova, duke nënvizuar rolin kyç të vendit tonë në forcimin e stabilitetit dhe sigurisë rajonale.
“Për Evropën, problemi historikisht ka qenë Serbia dhe jo Kosova. Kosova është pjesë e forcimit të stabilitetit dhe sigurisë në rajonin tonë”, u shpreh ai.
Hamza gjithashtu theksoi se masat ndëshkuese kanë prekur padrejtësisht qytetarët, ekonominë dhe perspektivën evropiane të Kosovës.
“Qytetarët tanë nuk duhej të ndëshkoheshin për shkak të papërgjegjësisë së Qeverisë. Kosova meriton trajtim të drejtë, mbështetje të plotë dhe një rrugë të qartë drejt integrimit evropian”, përfundoi kreu i PDK-së, duke rikujtuar orientimin proevropian të qytetarëve.