Deputeti i ASH-së në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, Halil Snopçe, është i ftuari i radhës në emisionin PodGo në Telegrafi Maqedoni, me të cilin kemi diskutuar për partinë e Aleancës për Shqiptarët, VLEN-in dhe Qeverinë.
Snopçe tha se nuk është arritur qëllimi me bashkimin e ASH-së me VLEN-in, por theksoi se ndryshimi u arrit, duke përmendur që BDI u dërgua në opozitë.
“Dëshironim ta ndryshojmë status quon. BDI ishte në pushtet për 20 vite dhe të rinjtë e kishin humbur shpresën dhe prandaj është kjo shpërngulje e madhe. Gruevskin e rrëzuam ne, tre deputetët e Aleancës për Shqiptarët. Pavarësisht se ne dështuam në arritjen e qëllimit, për një kohë të shkurtë dolëm nga Qeveria”.
“Problemi ndodhi kur gjatë kohës së pushtetit, vendosëm t’i bashkohemi opozitës shqiptare, që të vijë një garniturë e re politike, duke menduar se punët do të ecin ndryshe. Ndryshimi nuk erdhi. Ishte lëvizje që e ringjalli shpresën e qytetarëve. BDI-në e çuam në opozitë. Por, marrëveshja që e bëmë me OBRM-PDUKM-në dhe Mickoskin nuk u realizua. Aq më tepër doli në pah ajo dogma “Maqedonia e maqedonasve” dhe nisën të nëpërkëmbin dhe luftojnë shqiptarët. OBRM-PDUKM-ja filloi të sillej si fuqi. Unë kam qenë i pari që kam thënë se nëse vazhdon nëpërkëmbja e interesave shqiptare ne do të dalim nga qeveria”, tha Snopçe.
Sa i përket zgjedhjeve të reja kuvendare, Snopçe tha se kjo çështje varet nga kryeministri Hristijan Mickoski.
“Kjo çështje varet nga Hristijan Mickoski. Ai i ka numrat. Por ai deklaron se nuk do të ketë ndryshime kushtetuese. Mendoj që ai do të bëjë zgjedhje, pasi e ka mandatin e fundit dhe nuk mund ta mbajë këtë rejting të partisë. Unë mendoj se duhet të ketë zgjedhje për shumë arsye. Kemi krizë ekonomike, kemi borxhe dhe ai do ta mbajë këtë rejting të partisë. Sipas mendimit tim në fund të vitit do të kemi qeveri teknike, ndërsa në pranverën e vitit të ardhshëm do të ketë zgjedhje”, tha Snopçe, duke shtuar se marrëveshja me AKI-në do të vazhdojë edhe më tej, në rast se ka zgjedhje të reja të parakohshme./Telegrafi/
