Kryetari i Komunës së Zhelinës Blerim Sejdiu, është i ftuari i radhës në emisionin PodGo në Telegrafi Maqedoni, me të cilin kemi diskutuar për punët e tij si kryetar komune në mandatin e tretë, si dhe VLEN-in.
Sa i përket shpalljes së Zhelinës qytet, ai tha se fillimisht duhet të bëhen kushtet dhe më pas të vijojë procedura administrative.
“Do t’i bëjmë kushtet që të kërkojmë të shpallemi qytetet. Pajtohet dikush ose jo, Zhelina është ndryshe. Këtë e thonë edhe ata që nuk jetojnë këtu. Kur e thonë të tjerët, e sheh se je duke ecur mirë. Fillimisht duhet të bëhet infrastruktura, më pas të shpallet qytet. Kjo varet nga disa institucione që duhet t’i sjellim këtu. Kur do t’i kemi të gjitha institucionet atëherë mund të kërkojmë të shpallemi qytet”, tha Sejdiu.
Ai theksoi se Komuna e Zhelinës duhet të jetë ndër komunat më të zhvilluara në vend, për shkak të pozitës që e ka.
Sa i përket VLEN-it dhe unitetit të tyre, ai tha se ka debat dhe por nuk ka ndasi.
“Të tjerët dëshirojnë që të ketë konflikt brenda VLEN-it. Nuk ka asgjë të vërtetë nga ajo që shkruhet në media. Debat ka pasur, që ka qenë shumë konstruktiv. Unë mendoj se nëse nuk ka debat, nuk ka sinqeritet”, tha Sejdiu.
I pyetur për Lëvizjen Besa si pjesë e VLEN-it, ai theksoi se të gjitha partitë pubojnë që vendin ta nxjerrin nga kriza.
“Lëvizja Besa bëri bashkimin e partive opozitare. Sot edhe OBRM-PDUK edhe partitë tjera jemi duke u munduar se si të dalim nga kriza. Është krizë e trashëguar prej më herët. Strategjia është që të zhbllokohen negociatat me Bullgarinë, të ketë ndryshime kushtetuese dhe pas kësaj do të jemi ndër shtetet më favorite për anëtarësim në BE”, tha Sejdiu./Telegrafi/