Inspektori i aksidenteve në komunikacion pranë SPB Tetovë, Rexhep Ismaili, është i ftuari i radhës në emisionin PodGo në Telegrafi Maqedoni, me të cilin kemi diskutuar për komunikacionin në Tetovë dhe rrethinë. Ai tha se komunikacioni në vend është i rënduar me shumë automjete dhe kushtet nuk janë në përputhje me kërkesat e shoferëve.
“Komunikacioni në Tetovë dhe rrethinë është me numër të madh të automjeteve, të cilat gravitojnë në këtë vend ku kushtet e rrugëve nuk i plotësojnë kërkesat e pjesëmarrësve. Unë jam në polici gati 25 vite. Nëse shohim fillimet e mia në punë, ka përmirësime, por duhet ende. Kemi nevojë për përmirësim në të gjitha aspektet”, tha polici Ismaili.
Ai tha se për t’u përmirësuar gjendja e komunikacionit, secili duhet të fillojë nga vetja.
“Edhe institucionet duhet të kontribuojnë për komunikacion më të mirë dhe më të sigurt”, tha Ismaili.
Ai tha se policia i toleron qytetarët dhe shoferët për shkeljet e vogla, por shtoi se puna e tyre është në përputhje me ligjin.
I pyetur për Safe City dhe si ka ndikuar në Tetovë, ai tha se ka ndikuar pozitivisht.
“Sa i përket numrit të aksidenteve është ulur numri. Safe City ka ndikuar pozitivisht. Në vende ku ka të instaluara kamera dhe radarë ka ulje të numrit të aksidenteve”, tha Ismaili.
Ai tha se Policia e Tetovës do të pajisjet me një makinë të re, e cila do të fotodokumentojë shkeljet të cilat i bëjnë pjesëmarrësit në trafik./Telegrafi/