Këngëtarja Gwen Stefani ka zbuluar se si shtatzënia në moshën 43-vjeçare e ka frymëzuar atë të përkushtohet më shumë ndaj besimit të saj të krishterë. Në një intervistë, këngëtarja foli për udhëtimin e saj shpirtëror dhe përvojën e shtatzënisë me djalin e saj të dytë, Apollo Bowie Flynn Rossdale.
Në një intervistë për kanalin në YouTube “Hallow: Prayers and Meditation”, Gwen kujtoi se momenti vendimtar ishte kur ishte shtatzënë me djalin e saj Apollo Bowie Flynn Rossdale.
“Doja me dëshpërim një fëmijë tjetër. Vërtet e doja. Mendova se nuk mund ta përballoja më, se isha shumë e vjetër dhe ato mendime filluan të më përndiqnin”, tha ajo javën e kaluar.
Një ndikim i veçantë erdhi edhe nga djali i saj i madh, Kingston, i cili ishte tetë vjeç në atë kohë dhe ishte lutur për një vëlla ose motër.
“Ai u lut, ‘Të lutem, Zot, lejo mamin tim të lindë një fëmijë’. Mbaj mend që mendova, ‘Shiko djalin tim të vogël, ai po lutet për mua!'” shtoi Stefani, duke theksuar se ajo nuk e mësoi atë si të lutej.
“Katër javë më vonë mbeta shtatzënë me Apollon, të cilin e linda në moshën 44 vjeç. U ngjizva natyrshëm – ishte një dhuratë e vërtetë nga qielli. Ishte mrekullia ime e parë”, tha këngëtarja.
Gwen pranoi se pas shtatzënisë ndihej e presionuar sepse mendonte se nuk dinte mjaftueshëm për Krishterimin.
“Është pothuajse e frikshme, sepse sa më shumë që mëson, aq më shumë të kaplon frika. E kupton: ‘O Zot, po më mbaron koha dhe duhet të mbledh veten. Duhet të bëhem një e krishterë e vërtetë! Nuk do t’ia dal,'” shpjegoi ajo. /Telegrafi/