Pep Guardiola pranoi se Manchester City ka pak shanse për ta kthyer rezultatin ndaj Real Madridit në Ligën e Kampionëve pas humbjes 3-0 në Santiago Bernabeu.
City u trondit nga Federico Valverde me tre gola në vetëm 22 minuta të pjesës së parë, duke i zvogëluar shanset e skuadrës angleze për të arritur në çerekfinale përpara ndeshjes së kthimit në Etihad javën e ardhshme.
Një shkëndijë shprese për ekipin e Guardiolës erdhi nga Gianluigi Donnarumma, i cili priti një penallti nga Vinicius Junior në pjesën e dytë. I pyetur pas ndeshjes për shanset e Cityt për të arritur në çerekfinale, Guardiola u treguar pesimist.
“Ata [lojtarët] nuk janë të mirë për momentin. Mendoj se 0-3 është më mirë se 0-4. Sigurisht që do të përpiqemi. Do të analizojmë se çfarë mund të përmirësojmë, do të jemi më aktivë në fazën e tretë të fushës dhe do të japim gjithçka”, ka thënë fillimisht Guardiola.
Guardiola e nisi ndeshjen me tre anësorë – Jeremy Doku, Savinho dhe Antoine Semenyo duke mbështetur Erling Haaland në një përpjekje për agresivitet një-me-një në krahë, por zgjedhjet e tij rezultuan të gabuara.
“I doja që ata të ishin agresivë në pjesën e jashtme një kundër një. Jeremy ishte i jashtëzakonshëm”.
“Ne mbërritëm shumë herë për të pasur ndjesinë se mund të shënonim gol dhe për të parë se çfarë do të ndodhte në pjesën e dytë, por ata mbërritën tre herë dhe shënuan tre gola”.
“Real Madridi është një ekip me cilësi të mirë me lojtarë të mirë dhe ne nuk arritëm të shënonim golin që na duhej”, përfundoi trajneri i Cityt.
Ndeshja tani kërkon një rikthim historik në Etihad javën e ardhshme për të mbajtur gjallë shpresat e Cityt për një kualifikim në çerekfinale. /Telegrafi/