Nga: Neil McCormick / The Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com
Erdhën, panë dhe … nuk bënë diçka më tepër. Kur Kraftwerk-u, grupi elektronik më i madh dhe më me ndikim i të gjitha kohërave, performoi të enjten në sallën e mbushur plot në “Royal Albert Hall,” tingulli i tyre ishte i fuqishëm dhe i pastër, pamjet vizuale tërheqëse dhe të guximshme, ndërsa performanca … statike dhe pa jetë.
Edhe admiruesit e tyre më të zjarrtë tashmë nuk presin më shumë se kaq. Madje, publiku i dhuroi një ovacion në këmbë anëtarit të vetëm origjinal të mbetur në grup, Ralf Hütter – në fund të koncertit – përpara se shokët e tij anonimë të ribashkoheshin me të për një bis të këngës së vitit 1978, The Robots, në të cilën ai përsëriste vazhdimisht dhe pa emocione, përmes efekteve të harmonizuara të vokoderit: “Ne jemi robotë.” Në epokën tonë të paranojës ndaj inteligjencës artificiale dhe të muzikës digjitale anonime, largpamësia e veprës së Kraftwerk-ut flet vetë.
Kur pionierët gjermanë të sintetizatorëve bënë debutimin e tyre në televizionin britanik në programin popullor shkencor Tomorrow’s World në vitin 1975, ata paraqitën një vizion të së ardhmes që, në shumë aspekte, është bërë realitet. Muzika e tyre elektronike ritmike dhe nxitëse, e zbukuruar me motive të thjeshta e tërheqëse melodike, krijoi modelin për një pjesë të madhe të tekno-popit që pasoi. Fatmirësisht, shumica nga kjo rezultoi më e zjarrtë, më e gjallë, më e çrregullt dhe më njerëzore sesa skema utilitare dhe e thatë e Kraftwerk-ut.
Deri tash, ashtu si pothuajse të gjitha grupet klasike të rokut, të cilët muzika e tyre e makinerive dikur kërcënonte t’i zëvendësonte, Kraftwerk-u është shndërruar praktikisht në një tribut për vetveten, duke ripërsëritur dhe riimagjinuar pafundësisht tingujt dhe pamjet vizuale të ditëve të tyre të lavdisë. Materiali më i ri në repertorin e tyre nostalgjik vinte nga albumi i fundit në studio, Tour de France Soundtracks i vitit 2003, ndërsa pjesa tjetër buronte nga periudha përcaktuese e karrierës së tyre midis viteve 1974 dhe 1986.
Gjatë gjithë koncertit, formacioni aktual me katër anëtarë qëndroi i palëvizshëm pranë katër stacioneve të punës në formën e foltoreve këndore, të cilat fshehin çfarëdo butonash apo komandash që ata mund të jenë duke përdorur. Kostumet e tyre futuriste përmbajnë sisteme ndriçimi që sinkronizohen me ekranin e madh ku shfaqen animacione të krijuara nga kompjuteri, të cilat sot duken disi të vjetruara. Ata e quajnë këtë “Turneu Multimedial,” megjithëse, të jemi të sinqertë, sot pothuajse çdo turne është multimedial.
Mësimet e Kraftwerk-ut janë përvetësuar dhe përshtatur prej kohësh nga një numër i panumërt DJ-sh dhe yjesh të muzikës pop, jo vetëm përmes pamjeve vizuale më novatore dhe tingujve më zhytës, por edhe përmes dëshirës për të krijuar një lidhje njerëzore, diçka që mungon krejtësisht në prezantimin e zgjuar, por jointeresant, të Kraftwerk-ut. Të thuash se ka diçka pa jetë te një grup që e koncepton vetë mungesën e personalitetit, do të thotë thjesht të pohosh të dukshmen. Por, çfarë do të thotë kur, si spektator, e sheh veten duke përqendruar vështrimin te dridhjet e herëpashershme të gjunjëve dhe trokitjet e këmbëve të një burri 79-vjeçar, sepse ato janë e vetmja shenjë lëvizjeje në skenë?
Kur pamjet vizuale të Kraftwerk-ut përputhen në mënyrë të përsosur me muzikën (siç ndodhi në interpretimin e fuqishëm të Trans-Europe Express), rezultati mund të jetë ende hipnotizues. Megjithatë, nuk jam i bindur se një sallë aq formale sa “Royal Albert Hall” është ambienti i duhur për stilin e tyre proto-rejv që kërkon reagim fizik nga publiku. Në vend të kësaj, audienca e ulur detyrohej ta sodiste këtë grup jashtëzakonisht statik sikur po shihte një instalacion arti.
Kjo të shtyn të pyesësh: a e parashikuan vërtet Kraftwerk të ardhmen? Dhe, nëse po, pse kanë ngecur në të kaluarën e tyre? /Telegrafi/
