Gjykata e Apelit në Shkup i ka refuzuar si të pabazuara ankesat e të akuzuarve në rastin e njohur si “Grupi i Velesit” për abuzim seksual dhe përgatitje të materialeve pornografike me një fëmijë-viktimë, ndërsa ka pranuar ankesën e Prokurorisë për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Me këtë, gjykata ka ndryshuar aktgjykimin e shkallës së parë të Gjykatës Themelore Penale Shkup dhe ua ka rritur dënimet me burg të gjithë 13 personave.
Pas mbajtjes së seancës publike më 13 nëntor të vitit të kaluar dhe vendimmarrjes më 25 dhjetor 2025, Gjykata e Apelit e ndryshoi vendimin vetëm në pjesën e sanksioneve penale, si vijon:
Të akuzuarit kryesor, Stefan Dimovski, për veprën “Tregti me fëmijë”, i rritet dënimi nga 5 vite e 6 muaj në 8 vite e 6 muaj burg.Dejan Spasiq, nga 4 vite e 6 muaj në 6 vite e 6 muaj burg.Dimitar Nakov, nga 4 vite e 6 muaj në 8 vite e 6 muaj burg.Tino Ilievski, nga 4 vite në 7 vite e 6 muaj burg.Saven Nedelkovski dënohet me 6 vite burg.
Për të akuzuarit për “sulm seksual dhe përdhunim”: Aleksandar Filipovski, Bojan Filipovski, Antonio Zografski, Trajçe Lazov dhe Risto Veljanov – nga 1 vit e 6 muaj në 3 vite burg. Kristijan Tonçov – nga 1 vit e 3 muaj në 3 vite burg. Borçe Kocev, i dënuar fillimisht me kusht për “shfaqje të materialeve pornografike ndaj fëmije”, tani dënohet me 1 vit burg efektiv.
“Gjykata Themelore Penale Shkup e kishte shpallur aktgjykimin në nëntor 2024 për 13 persona të akuzuar për veprat: tregti me të mitur, përdhunim dhe shfaqje të materialeve pornografike ndaj të miturve. Të gjithë u shpallën fajtorë dhe u dënuan me burg, duke u marrë parasysh rrethanat lehtësuese dhe rënduese”, thuhet në vendim.
Sipas Prokurorisë, rasti u zbulua në janar 2024. I dyshuari kryesor, një 25-vjeçar nga Velesi, gjatë viteve 2021–2022 kishte manipuluar dhe kërcënuar një vajzë të mitur për të mundësuar që persona të tjerë të kryenin veprime seksuale ndaj saj dhe të prodhonin materiale pornografike.
Ai kishte krijuar kontakt me vajzën përmes rrjetit social Instagram, duke e mashtruar me premtimin për lidhje dashurie. Në takimin e parë u krijua material komprometues, i cili më pas u përdor për ta detyruar viktimën të vazhdonte takimet.
Ngjarjet ndodhnin në banesa në lokacione të ndryshme në Veles, ku paraprakisht konsumohej alkool dhe substanca të tjera, e më pas kryheshin veprimet ndaj viktimës.
Fillimisht u ngrit aktakuzë ndaj 15 personave, por dy prej tyre arritën marrëveshje me Prokurorinë dhe morën dënime me kusht. Rasti u zhvillua i mbyllur për publikun.