Mohamed Salah është shfaqur si objektivi kryesor i transferimeve për një klub të Liga Saudite, pas largimit të Karim Benzemas nga Al Ittihadi.
Kjo është hera e parë që një klub i Liga Saudite shfaq interes konkret për yllin egjiptian. Pa asnjë dyshim, Cristiano Ronaldo mbetet fytyra kryesore e kampionatit saudit, por drejtuesit e ligës kanë dashur prej kohësh ta sjellin Mohamed Salah dhe ta bëjnë atë figurën qendrore të projektit të tyre.
Sipas “winwin”, një klub i mbështetur nga PIF po përgatit një ofensivë të re për sulmuesin e Liverpoolit, me synimin për të zëvendësuar një ish-fitues të Topit të Artë.
Sezonin e kaluar, Salah ishte ndoshta në formën e tij më të mirë dhe ndihmoi Liverpoolin të fitonte titullin në Ligë Premier, në sezonin e parë të Arne Slot në krye të skuadrës në “Anfield”. Megjithatë, raportimet për një përplasje me Slot dhe drejtuesit e klubit më herët gjatë sezonit kanë ngritur pikëpyetje të reja mbi të ardhmen e tij afatgjatë.
Pikërisht këtë situatë dëshiron ta shfrytëzojë Al Ittihad, duke planifikuar një lëvizje për Mohamed Salah në verën e ardhshme, pas largimit të Karim Benzema gjatë afatit dimëror. Ikja e francezit ka lënë një boshllëk të madh në strukturën sulmuese të klubit arab dhe Salah shihet si nënshkrimi ideal për ta mbushur atë hapësirë.
Deri më tani nuk ka pasur kontakte zyrtare mes klubeve, por besohet se Salah do të ishte i hapur për një transferim nëse Al Ittihad arrin marrëveshje me Liverpoolin.
Megjithatë, klubi saudit do të veprojë me kujdes, pasi egjiptiani ka kontratë deri në vitin 2027, ndërsa pasiguria rreth të ardhmes së Arne Slot e bën këtë operacion edhe më të ndërlikuar./Telegrafi