Policia e Tiranës ka goditur një tjetër rast të trafikimit të armëve të zjarrit nga Kosova në Shqipëri, në kuadër të operacioneve të njëpasnjëshme për parandalimin dhe goditjen e këtij aktiviteti kriminal.
Pas disa javësh hetime me metoda proaktive, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Forcën Operacionale dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, ka finalizuar operacionin policor të koduar “Barriera”.
Gjatë operacionit është arrestuar në flagrancë shtetasi D. B., 27 vjeç, banues në Kosovë, i cili dyshohet se po trafikonte armë zjarri me qëllim shitjen e tyre në kryeqytet.
Shërbimet e Policisë kanë lokalizuar dhe ndaluar automjetin tip “Volkswagen”, në dalje të Unazës së Madhe, pranë mbikalimit të Tufinës.
Gjatë kontrollit të mjetit, konkretisht nën kofano, janë gjetur dhe sekuestruar 10 armë zjarri pistoleta të llojit Glock, së bashku me municion luftarak.
Në vijim të procedimit penal janë sekuestruar edhe dy pistoleta të tjera Glock, duke e çuar numrin total të armëve të sekuestruara në 12 pistoleta.
Nga hetimet paraprake dyshohet se 27-vjeçari kishte për qëllim t’i shiste armët në zonën e Freskut, në Tiranë.
Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë hetimet e thelluara për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore. /Telegrafi/