Zëvendëskryeministrja dhe ministrja në detyrë, Donika Gërvalla, ka uruar Glauk Konjufcën për emërimin e tij si zëvendëskryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Qeverinë Kurti 3.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gërvalla ka vlerësuar lart punën e Konjufcës në mandatin e kaluar, kur ai shërbeu si kryetar i Kuvendit të Kosovës.
“Urime detyra e re, Glauk Konjufcës, si Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Republikës së Kosovës”, ka shkruar Gërvalla.
Ajo ka theksuar se gjatë ushtrimit të detyrës si kryeparlamentar në Qeverinë Kurti II, Konjufca ka treguar maturi të lartë, aftësi të jashtëzakonshme për bashkëpunim dhe sens të fortë për unitet gjithëpërfshirës.
“Ai ka ditur të udhëheqë me vizion dhe vendosmëri, duke e bërë Kuvendin, ashtu si i ka hije, institucionin më të fortë dhe më të përfaqësueshëm për qytetarët e Republikës sonë”, ka theksuar ajo.
Gërvalla i ka uruar suksese në detyrën e re, duke shprehur bindjen se kontributi i tij do të forcojë diplomacinë e Kosovës në arenën ndërkombëtare, do të promovojë interesat e vendit dhe do të avancojë marrëdhëniet me partnerët strategjikë. /Telegrafi/