Gjykata Supreme ka shqyrtuar të gjitha ankesat e parashtruara kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) lidhur me rezultatin zgjedhor pas rinumërimit të votave.
Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin zëdhënësja e Gjykatës Supreme, Antigona Uka, e cila ka bërë të ditur se brenda ditës pritet të përfundojë përpilimi i vendimeve dhe dorëzimi i tyre te palët.
Sipas saj, Gjykata Supreme ka shqyrtuar gjithsej gjashtë ankesa të paraqitura kundër vendimeve të PZAP-së.
Dy nga këto ankesa janë parashtruar nga kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, një nga Partia Rome e Bashkuar e Kosovës, një nga koalicioni PAI-PDAK-LPB, një nga Emilia Rexhepi, si dhe një nga Partia e Re Demokratike – Nova Demokratski Stranka nga Prizreni.
Në rast se Gjykata Supreme i refuzon këto ankesa, do t’i hapet rruga certifikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve.
Pas certifikimit, sipas procedurave ligjore, brenda 30 ditësh duhet të thirret seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. /Telegrafi/