Katërmbëdhjetë persona janë intervistuar deri më tani në Gjilan, nën dyshimin për falsifikim të rezultateve të votimit në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani i cili ka bërë të ditur se hetimet janë në vazhdim.
Sipas tij, Policia Rajonale e Hetimeve, në koordinim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit, do të vazhdojë intervistimin edhe të personave të tjerë, varësisht nga zhvillimi i hetimeve.
“Hetimet po vazhdojnë. Deri tani janë intervistuar 14 persona dhe, varësisht nga të gjeturat, Policia Rajonale e Hetimeve me koordinim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit do të vazhdojë edhe intervistimin e personave të tjerë. Këta persona dyshohen për falsifikim të rezultateve të votimit”, ka deklaruar Hashani. /Telegrafi/