Vinicius Junior mund të jetë në rrugë drejt Premier League këtë verë, pas raportimeve mbi zhvillimet më të fundit lidhur me të ardhmen e tij.
Ylli i Real Madrid ka qenë prej kohësh në bisedime për rinovimin e kontratës me klubin, pa arritur ende një marrëveshje përfundimtare.
Kontrata aktuale skadon në vitin 2027, por për shkak të mungesës së progresit në negociata, raportohet se Manchester United është ndër klubet që synojnë të përfitojnë nga kjo situatë, duke përgatitur një lëvizje të bujshme për brazilianin.
Sipas TEAMTalk, përfaqësuesit e Vinicius Jr kanë kontaktuar Manchester United, si dhe Manchester City, Arsenal, Chelsea dhe Liverpool lidhur me një transferim të mundshëm gjatë verës për 25-vjeçarin.
Gjithashtu, ndërmjetësit e tij kanë kontaktuar edhe gjigantë evropianë si Paris Saint-Germain dhe Bayern Munich, të cilët mund të përballojnë financiarisht një transferim të tillë, ndërsa Vinicius pritet të kërkojë një pagë shumë të lartë prej rreth 580,000 euro në javë.
Edhe pse Vinicius nuk është i vendosur të largohet nga kampionët 15-herë të Evropës, ai po mban të gjitha opsionet e hapura për të ardhmen e tij.
Kylian Mbappe është aktualisht lojtari më i paguar te Real Madrid pas transferimit të tij me parametra zero në vitin 2024, por kampi i Vinicius thuhet se po kërkon një pagë më të lartë për rinovimin e kontratës.
Në nëntor, The Athletic raportoi se Real Madrid i kishte ofruar një kontratë me vlerë 20.3 milionë euro në vit gjatë bisedimeve në fund të sezonit të kaluar, duke rritur pagën e tij vjetore me pak më pak se 2.3 milionë euro.
Megjithatë, pala e lojtarit nuk ishte e kënaqur me këtë ofertë dhe, kur klubi u kërkoi të propozonin një shifër, ata thuhet se kërkuan rreth 30.2 milionë euro në vit.
Një kontratë e tillë do të përfaqësonte marrëveshjen më të shtrenjtë në historinë e Real Madridit, në të njëjtin nivel me atë që fitonte fituesi pesë herë i Topit të Artë, Cristiano Ronaldo, në sezonin e tij të fundit përpara transferimit te Juventus./Telegrafi/