Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Faton Geci, ka shprehur kundërshtimin e tij ndaj dyfishimit të mbështetjes financiare për katërshen e ish-krerëve të UÇK-së, duke theksuar se ata nuk mund të konsiderohen si themelues të shtetit.
“Ata nuk janë themelues të shtetit. Siç tha deputeti Tahiri, meqenëse është në përfundim, nuk konsideroj se është e arsyeshme të vazhdojmë për mbrojtje të tyre”, deklaroi Geci gjatë seancës parlamentare.
Ndërkaq, më vonë, në një postim në Facebook, ai ka sqaruar arsyetimin e vendimit të tij.
“Sot, si anëtar i Komisionit për Buxhet dhe Financa, votova kundër kërkesës për ndarjen e 8 milionë eurove për mbrojtjen e të akuzuarve në Hagë. Përveç meje, kundër votuan edhe dy deputetë të LVV-së. Vota ime ishte shumë e rëndësishme.
Arsyetimi im ishte i qartë: deri më sot, për mbrojtjen e tyre janë shpenzuar rreth 36 milionë euro nga buxheti ynë. Ky proces është drejt përfundimit dhe shteti ynë i ka përkrahur mjaftueshëm financiarisht. Vendimi final do të shpallet së shpejti, atëherë pse të jepen prapë mjete”, shkroi Geci.