Mungesa e informacionit të saktë dhe hezitimi i prindërve për të folur hapur me fëmijët për tema të ndjeshme si seksualiteti, mund të ketë pasoja serioze në zhvillimin e tyre.
Në podcastin “Shëndeti në rend të parë”, e mbështetur nga United Hospital, seksologu Hajrullah Fejza theksoi se një nga gabimet më të mëdha që bëjnë prindërit është shmangia e pyetjeve të fëmijëve dhe lënia e tyre pa përgjigje.
“Fëmija devijon kur nuk ka informacione. Kur merr informacione të mirëfillta, nuk devijon”, u shpreh Fejza.
Sipas tij, fëmijët kanë kureshtje natyrale dhe pyetjet që bëjnë janë pjesë normale e zhvillimit. Megjithatë, në shumë raste, prindërit zgjedhin t’i anashkalojnë këto tema për shkak të turpit ose pasigurisë.
Ai paralajmëron se kjo qasje mund t’i shtyjë fëmijët të kërkojnë përgjigje në burime jo të sigurta, si shoqëria apo interneti, ku informacioni shpesh është i pasaktë ose i shtrembëruar.
“Nëse nuk ia jep prindi përgjigjen, fëmija do ta marrë diku tjetër – dhe jo gjithmonë nga burime të sakta”, theksoi ai.
Fejza nënvizoi se prindërit duhet të jenë burimi i parë dhe më i besueshëm i informacionit për fëmijët e tyre, duke krijuar një ambient të hapur dhe të sigurt për komunikim.
Sipas tij, edukimi i hershëm dhe i përshtatur me moshën nuk i dëmton fëmijët, por përkundrazi i ndihmon të kuptojnë trupin, emocionet dhe marrëdhëniet në mënyrë të shëndetshme.
Për më shumë shikoni të plotë podcastin “Shëndeti në rend të parë”:
– YouTube www.youtube.com