Kosova do të luajë ndaj Turqisë në kuadër të finales së play-off-it për Kupën e Botës në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Dardanët vijnë pas fitores së madhe si mysafir ndaj Sllovakisë (4-3), ndërsa Turqia e mposhti në shtëpi Rumaninë (1-0).
Kosova kthehet të luajë në “Fadil Vokrri” pas tre muajsh, ku ndeshja e fundit ishte ajo ndaj Zvicrës me rezultat 1-1.
Dardanët në shtëpi kanë arritur rezultate mjaft të mira, ku në tetë ndeshjet e fundit kanë gjashtë fitore dhe dy barazime.
Pas asaj humbjeje me Rumaninë me rezultat 3-0 më 6 shtator 2024, e vlefshme për Ligën e Kombeve, që ishte e para e Franco Fodës si ndeshje zyrtare, nga atëherë Dardanët nuk dinë për humbje.
Vijnë fitoret ndaj Qipros (3-0) dhe Lituanisë (1-0), për të kaluar te ajo e play-off-it ndaj Islandës me rezultat 2-1.
Në qershor vijnë edhe dy miqësoret e fituara ndaj Armenisë (5-2) dhe Komoreve (4-2).
Rruga drejt Kupës së Botës solli tri ndeshje në “Fadil Vokrri”, ku zbarkuan Suedia, Sllovenia dhe Zvicra.
Fitore e madhe ndaj Suedisë me rezultat 2-0, ndërsa edhe dy barazime kundër Sllovenisë (0-0) dhe Zvicrës (1-1).
Pra, Kosova në ndeshjen e së martës e ka edhe avantazhin e fushës, që me Franco Fodën është kthyer në një fortesë të pathyer. /Telegrafi/