Protestat në Iran morën një kthesë të rëndë gjatë natës të së premtes, kur demonstrues të dhunshëm në lagjen Saadat Abad të Teheranit i vunë zjarrin xhamisë Al‑Rasool dhe dogjën disa vetura civile, raportojnë mediat lokale.
Sipas burimeve zyrtare, ngjarjet kaluan nga protesta paqësore në shkatërrim të pronës publike dhe private.
Xhamia u dogj pranë sheshit Shahid Tehrani Moghaddam, ndërsa dëshmitarët thanë se veprimi nuk ishte vetëm simbolik, por një sulm i drejtpërdrejtë ndaj objektit fetar dhe sigurisë publike.
Autoritetet iraniane, ndërkohë, mohojnë raporte për trazira në qendër të kryeqytetit dhe thonë se situata atje është nën kontroll, por në periferi ka vijuar përleshje dhe incidente të shpërndara në lagje të ndryshme si Tehranpars, Jannat Abad, Pasdaran dhe Nizam Abad.
Në reagimet e tyre, forcat e sigurisë iraniane i kanë cilësuar grupet që djegin xhaminë dhe shkaktojnë trazira si “terroristë” dhe kanë paralajmëruar se nuk do të ketë tolerancë ndaj atyre që identifikohen si të tillë, duke theksuar se do të mbrojnë jetën dhe pronën e qytetarëve.
Ndryshe, protestat në shtetin iranian kanë shpërthyer si pasojë e gjendjes ekonomike dhe sociale. /Telegrafi/