Presidenti i UEFAs, Aleksander Ceferin, ka reaguar pas eliminimit të papritur të Italisë nga play-off-i i Kupës së Botës 2026, duke mbrojtur ish-presidentin e Federatës Italiane të Futbollit, Gabriele Gravina.
Italia u eliminua pas barazimit 1–1 dhe humbjes 4–1 me penallti ndaj Bosnja dhe Hercegovina, në një përballje që konsiderohet si një nga surprizat më të mëdha të këtij cikli kualifikues.
Në një deklaratë për mediat, Ceferin theksoi se përgjegjësia për këtë dështim nuk duhet t’i faturohet Gravinas:
“Bosnja ka një ekip të ri dhe shumë të fortë, për më tepër luajti në shtëpi. Italia ishte nën presion shumë më të madh. Bosnja e meritoi kualifikimin, ndërsa Italia humbi edhe pas një kartoni të kuq”, u shpreh Ceferin.
Duke folur për përgjegjësinë në raste të tilla, kreu i UEFA-s solli si shembull përvojën e tij si drejtues i Federatës Sllovene të Futbollit:
“Kur fiton, je hero bashkë me lojtarët. Kur humb, përgjegjësia ndahet mes të gjithëve. Kjo nuk është faji i Gravinas dhe unë nuk do të kritikoja as lojtarët apo trajnerin”.
Ceferin kritikoi gjithashtu figurat politike në Itali që kanë kërkuar dorëheqjen e Gravinas:
“Më trishton dhe më zemëron fakti që disa njerëz presin vetëm një moment të keq për të nisur kritikat. Ata mbështesin veten e tyre, jo Italinë. Futbolli është i paparashikueshëm, edhe më të mirët mund të humbasin”.
Në përfundim, ai paralajmëroi se largimi i Gravinas do të ishte një humbje e madhe për federatën italiane.
“Një zotëri që e do thellësisht futbollin dhe Italinë”, dhe shtoi se do të ishte e vështirë të gjendej një drejtues i të njëjtit nivel. /Telegrafi/