Elia Zaharia lindi më 8 shkurt 1983 në Tiranë dhe që herët u formua në një mjedis artistik, duke ndërtuar një rrugëtim të qëndrueshëm mes teatrit, muzikës dhe letërsisë.
Pas diplomimit në vitin 2002 në Liceun Artistik “Jordan Misja”, në degën e artit dhe skenografisë, ajo u zhvendos në Paris për të ndjekur studimet universitare dhe për të zgjeruar horizontin e saj krijues në një nga qendrat më të rëndësishme kulturore të Evropës.
Në vitin 2005 u diplomua në Konservatorin Kombëtar të Bordosë në art dramatik, ndërsa më pas ndoqi shkollën prestigjioze private të aktrimit Cours Florent në Paris. Studimet e saj në aktrim skenik i përfundoi në Universitetin Paris 8 në vitin 2010. Paralelisht me formimin akademik, Elia ka interpretuar në një sërë veprash teatrore dhe projektesh artistike, duke ndërtuar një profil të gjithanshëm si aktore dhe performuese.
Që prej vitit 2015 ajo është anëtare e Teatrit Kombëtar të Shqipërisë, ndërsa ka qenë gjithashtu e pranishme në projekte kinematografike dhe në muzikë, përfshirë pjesëmarrjen e hershme në grupin “Spirit Voice” gjatë viteve 1999–2002.
Përveç angazhimit artistik, Elia Zaharia ka dhënë një kontribut të rëndësishëm edhe në fushën humanitare si themeluese dhe presidente e Fondacionit “Mbretëresha Geraldinë” nga viti 2013 deri në vitin 2024, duke mbështetur familjet në nevojë dhe fëmijët me nevoja të veçanta. Në vitet 2016 dhe 2018, ajo bashkë prezantoi festivalin “Kënga Magjike”, një nga ngjarjet më të rëndësishme muzikore në vend.
Letërsia për fëmijë është një tjetër kapitull i rëndësishëm i krijimtarisë së saj. Në vitin 2019 botoi librin e parë, “Trëndafili i bardhë”, i cili u bë bestseller dhe u botua edhe nga shtëpia prestigjioze Feltrinelli në Itali. Në vitin 2024, Elia rikthehet me librin e dytë për fëmijë, “Perla dhe dreri i artë”, një vepër që po gëzon sukses të madh në Shqipëri.
Me këtë libër, Elia Zaharia rikthehet për herë të dytë në Librarinë Dukagjini, ku të enjten, më 18 dhjetor, në ora 17:00, do të mbahet promovimi i librit “Perla dhe dreri i artë”. Të gjithë lexuesit, prindërit dhe fëmijët janë të mirëpritur për të ndarë së bashku këtë takim me botën e magjishme të tregimeve për fëmijë.
Ju mirëpresim në librarinë Dukagjini në sheshin Nëna Terezë për një mbrëmje shumë të bukur letrare.