Pas reagimeve të shumta dhe debatit publik mbi ekspozitën “Masakrat në Kosovë 1998–1999”, organizatat Integra dhe Admovere kanë dhënë një reagim publik, duke shprehur shqetësimin për ndikimin dhe reagimet e shkaktuara.
Në njoftim, ato kërkojnë falje të sinqertë për familjarët e viktimave civile dhe të gjithë ata që janë prekur nga lufta, duke theksuar se qëllimi i ekspozitës ishte të nderonte viktimat dhe të kontribuonte në ruajtjen e kujtesës kolektive për krimet e kryera.
“Fillimisht, u kërkojmë falje të sinqertë të gjithë familjarëve të viktimave civile të luftës, të gjithë atyre që janë prekur drejtpërdrejt apo tërthorazi nga lufta në Kosovë, bashkëpunëtorëve tanë dhe opinionit të gjerë publik për situatën e krijuar”, thuhet në reagim.
Sipas organizatave, në asnjë moment dhe në asnjë formë nuk kanë pasur synim të lëndojnë apo të ofendojnë askënd.
“Qëllimi i ekspozitës sonë ka qenë i qartë dhe i pandryshueshëm: të nderojë viktimat civile të luftës dhe të kontribuojë në ruajtjen e kujtesës kolektive për krimet e kryera në Kosovë. Në asnjë moment dhe në asnjë formë nuk kemi pasur synim të lëndojmë apo të ofendojmë askënd”, thuhet tutje në reagim.
Njëkohësisht, Integra dhe Admovere bëjnë thirrje që të ndalen sulmet, linçimet dhe kërcënimet individuale.
“Njëkohësisht, bëjmë thirrje për ndaljen e sulmeve, linçimeve dhe kërcënimeve individuale, si dhe për shmangien e çdo keqpërdorimi të situatës së krijuar. Besojmë se diskutimi i hapur, i qetë dhe i respektueshëm është mënyra e vetme për të adresuar çështje kaq të ndjeshme”, përfundon reagimi i tyre.
Ekspozita “Masakrat në Kosovë 1998–1999”, e cila u vendos në sheshin kryesor të Prishtinës, ka nxitur reagime të shumta publike, politike dhe institucionale, duke u shndërruar në një nga debatet më të mëdha të ditëve të fundit në vend.
Menjëherë pas hapjes, u ngritën dyshime për pasaktësi në të dhënat e paraqitura, veçanërisht lidhur me viktimat e disa masakrave.
Për shkak të reagimeve të shumta dhe tensioneve të krijuara, ekspozita u largua nga sheshi vetëm pak ditë pas vendosjes së saj.
Largimi u bë një ditë pas vendimit të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, për pezullimin e lejes së ekspozimit, për shkak të pasaktësive të evidentuara në përmbajtjen e ekspozitës.
Në këtë drejtim, Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se po e ndjek rastin dhe do të vlerësojë nëse ka elemente të përgjegjësisë penale lidhur me përmbajtjen dhe organizimin e ekspozitës. /Telegrafi/