Eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi, në emisionin Five në RTV Dukagjini ka folur lidhur me pjesëmarrjen e paramilitarëve serbë në luftën në Ukrainë, të cilët kanë deklaruar se sapo të përfundojnë atje do të kthehen në Ballkan.
Lidhur me këtë çështje, edhe mediumi britanik The Telegraph ka raportuar se këta pjesëtarë po përgatiten për një luftë të madhe në Ballkan.
Ibishi ka thënë se paralajmërimet për një destabilizim të mundshëm në Ballkan duhet të merren seriozisht.
“Mercenarët serbë kanë marrë pjesë në shumë luftime, jo vetëm në këtë rast në invadimin e palës ruse në Ukrainë, por edhe në Afrikë, në disa vende ku mercenarët serbë kanë marrë pjesë dhe kanë kryer krime lufte”, ka thënë Ibishi.
“Në raport me paralajmërimet e mundshme për destabilizimin e Ballkanit duhet marrë seriozisht dhe duhet me kujdes t’i përcjellim, ngase këto grupe janë parë edhe në afërsi të Kosovës”, ka deklaruar ai.
Edhe ish-inspektori i AKI-së, avokati Shkelzen Sopjani ka thënë se pas pjesëmarrjes së paramilitarëve serbë në luftën në Ukrainë qëndrojnë Rusia dhe strukturat e saj të inteligjencës, të cilat, sipas tij, janë të pranishme në mënyrë të theksuar në rajon, veçanërisht në Serbi.
“Po sigurisht se prapa kësaj është Rusia dhe strukturat inteligjente të Rusisë, sepse ato janë goxha shumë prezent në rajon, sidomos në Serbi”, ka thënë Sopjani, duke përmendur qytetin e Nishit si qendër kyçe të aktivitetit rus.
Ai ka theksuar se e ashtuquajtura “qendër humanitare” ruse në Nish, në realitet, ka funksion të inteligjencës.
“Realisht ajo është një qendër e inteligjencës, një fusion center për aktivitete të spiunazhit dhe koordinimit”, ka deklaruar ai.
Sipas Sopjanit, një pjesë e strukturave të sigurisë së Serbisë janë të lidhura ngushtë me shërbimet ruse.
“Një pjesë e madhe e tyre janë shumë besnikë ndaj strukturave të sigurisë ruse dhe në terren veprojnë më shumë si vazhdim i FSB-së sesa si shërbim i pavarur”, është shprehur ai.
Megjithatë, Sopjani ka vlerësuar se për momentin nuk sheh rrezik të menjëhershëm për një luftë të madhe në Ballkan.
“Nuk shoh rrezik eminent për një konflikt të përmasave të gjera në Ballkan për momentin”, ka thënë ai, duke shtuar se në rast të ndonjë përshkallëzimi, Bosnja dhe Hercegovina mbetet më e ekspozuar sesa Kosova.
Ai ka theksuar se Kosova është më pak e rrezikuar, kryesisht për shkak të homogjenitetit të popullsisë dhe pranisë së faktorëve ndërkombëtarë të sigurisë në rajon.