Janell Shirtcliff, e dashura e aktorit Eric Dane, ka reaguar për herë të parë pas vdekjes së tij në moshën 53-vjeçare nga sëmundja ALS, duke ndarë kujtime dhe pamje emocionale nga koha që kaluan bashkë.
Ajo publikoi fotografi dhe video nga viti i fundit i jetës së aktorit, ku Dane shihet duke buzëqeshur, duke kaluar momente të qeta me të dhe duke kënduar në makinë gjatë udhëtimeve të tyre.
Në një nga pamjet, aktori shihet duke e përqafuar dhe duke i dhënë një puthje të ëmbël, ndërsa një video tjetër tregon vajzën e tij Georgia duke e përgatitur për një fotografi, shkruan DailyMail.
Eric Dane u bë i njohur globalisht me rolin e Dr. Mark Sloan në “Grey’s Anatomy” dhe më pas me pjesëmarrjen në serialin “Euphoria”.
Ai kishte zbuluar diagnozën e ALS më pak se një vit më parë, një sëmundje e pashërueshme që dëmton sistemin nervor dhe shkakton paralizë progresive.
Edhe pse ishte ndarë nga bashkëshortja Rebecca Gayheart në vitin 2017, ajo mbeti një mbështetje e fortë për të dhe së bashku rritën dy vajzat e tyre, Billie dhe Georgia.
Ndërkohë, Dane kishte krijuar një lidhje me Shirtcliff, e cila ishte pranë tij edhe në paraqitjen e fundit publike.
Pas vdekjes së tij, miqtë kanë hapur një fond në GoFundMe për të mbështetur vajzat e aktorit, ku deri tani janë mbledhur mbi 183 mijë dollar (afërsisht 170,190 euro).
Pavarësisht përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, Dane kishte shprehur dëshirën për të vazhduar aktrimin, duke thënë se ende kishte zërin dhe mendjen e tij të fortë. /Telegrafi/