Kompania ajrore Emirates ka njoftuar se të gjitha fluturimet drejt dhe nga Dubai janë pezulluar përkohësisht dhe do të mbeten të ndërprera deri në një njoftim tjetër.
Ky vendim është marrë për arsye sigurie dhe për shkak të rrethanave aktuale që po ndikojnë në trafikun ajror në rajon.
Në një njoftim të publikuar në platformën X (ish-Twitter), Emirates u ka bërë thirrje pasagjerëve që të mos drejtohen drejt aeroportit derisa të jepen udhëzime të reja.
Kompania ka theksuar se situata po monitorohet vazhdimisht dhe se do të informojë udhëtarët sapo të ketë zhvillime të reja lidhur me rifillimin e fluturimeve.
“Siguria e pasagjerëve dhe ekuipazhit tonë është prioriteti ynë më i lartë dhe nuk do të vihet në kompromis”, thuhet në deklaratën e kompanisë.
Sipas Emirates, deri më tani janë operuar vetëm disa shërbime të kufizuara fluturimi nga Dubai dhe Abu Dhabi, duke përdorur korridore ajrore të konsideruara të sigurta.
Megjithatë, për shkak të pasigurisë në hapësirën ajrore të rajonit, shumica e operacioneve ajrore janë pezulluar përkohësisht.
Pasagjerëve u rekomandohet të kontrollojnë rregullisht faqen zyrtare të Emirates ose kanalet e tjera të komunikimit të kompanisë për informacione të përditësuara rreth fluturimeve, ndryshimeve të mundshme të itinerareve dhe opsioneve për riplanifikimin e udhëtimeve. /Telegrafi/