Ky reportazh vjen në 18-vjetorin e pavarësisë së Kosovës dhe lidhjen e fortë të yllit botëror me Kosovën, edicionin e 2025 të Sunny Hill Festival dhe rrugëtimin e jashtëzakonshëm të Dua Lipës nga fillimet modeste në skena të vogla evropiane e deri në shndërrimin e saj në një yll botëror që ka lidhur emrin e Kosovës me muzikën globale
Behare Bajraktari,
gazetare & publiciste
Përmes koncertit madhështor në Prishtinë dhe turneut “Radical Optimism Tour”, Dua Lipa shfaqet si simbol i punës, disiplinës, transformimit artistik dhe fuqisë së identitetit, duke dëshmuar se suksesi nuk vjen brenda natës, por ndërtohet me përkushtim të vazhdueshëm. Ajo nuk është vetëm një këngëtare e suksesshme, por një fenomen kulturor që frymëzon breza të tërë, duke sjellë një “Butterfly Effect” pozitiv në muzikë, art dhe imazhin e Kosovës në botë.
Kur Kosova bëhet qendër e muzikës botërore falë Dua Lipës dhe Sunny Hill Festival
Adrenalina e festivalit ndjehej kudo në Prishtinë. Po flitej për SHF 2025 dhe po komentohej gjithçka. Fuqia e Dua Lipës lë pa frymë ndjekësit e saj, por edhe të tjerët, të cilët muzikën e shohin përtej emrit.
Ngjarja më e madhe në Kosovë dhe në Evropën Juglindore e bëri vendin tonë pikë kthese të muzikës, artit, biznesit, udhëtimeve dhe vizitave për vendin tonë, falë Dua Lipës.
Për një dekadë, sa edhe Dua Lipa është në skenën muzikore, emrin e Kosovës e ka lidhur pas vetes duke i mishëruar në një. Kjo për neve është si një mrekulli!
Siç thoshte Nënë Tereza: “Dashuria e madhe fillon nga gjërat e vogla”, ashtu filloi Dua Lipa me koncerte të vogla anë e mbanë Europës, por ajo s’u ndal kurrë. Kjo është një dëshmi e gjallë, ku rinia kosovare dhe ajo e botës mund ta marrë si përvojë se yll nuk mund të bëhesh brenda natës, edhe nëse lind si një yll – shkëlqimin duhet ta vezullosh me punë dhe përkushtim.
Koncertet e Duas në fillime mund të kenë qenë jo më shumë se me 50 njerëz, me veshje kaq të thjeshta, por stili kishte filluar të formësohej, ashtu edhe sikur vetë ajo.
Dua Lipa është sikur zana Këmbork (Tinker Bell e Walt Disney). Megjithëse Dua Lipa është aq origjinale sa që, edhe sikur do të donte dikush ta pikturonte, s’do të kishte kaq shumë imagjinatë.
Hiri i saj femëror dhe magjia e saj artistike janë vërtet sikur diçka e ardhur nga një galaktikë tjetër. Sipas shkencës së misticizimit, do të thonin se Dua Lipa është hyjnore apo e spërkatur nga pluhuri magjik i Tinker Bell.
Dua e zjarrtë në skenë
Zemrat po rrihnin fort kur dritat u ndezën dhe doli në skenë si vetë magjia e vezulluar, si me pluhur magjik të përhapur në skenën e madhe me skenografinë e posaçme të turit të saj botëror “Radical Optimism Tour”. Ajo e pushtoi skenën. Mbi 20 mijë njerëz po mrekulloheshin pas paraqitjes së saj, ku buçiste zëri me një timbër unik, duke kënduar live në skenë dhe duke vallëzuar lehtësisht, sikur të kishte lindur në atë skenë apo ajo të ishte shtëpia e saj gjithmonë. Besoni ose jo, ajo fluturonte sikur një flutur. Pra, jo më kot ajo para pak kohësh kishte zgjedhur fluturën si identifikim muzikor dhe stilizimi i veshjeve, sepse fluturat simbolizojnë lirimin e shpirtit, transformimin dhe bukurinë. Këtë bëri dhe po bën Dua. Ylli botëror ndoqi metamorfozën e fluturës.
Në koncertin e Prishtinës kishte përfshirë edhe këngët e famshme si “Levitating” të albumit “Future Nostalgia” (2020), në zhanret pop, dance-pop, disco, funk moderne.
Infografikë muzikore:
Pra, sa për kujtesë, Dua i ka realizuar deri tani 3 albume: “Dua Lipa” (2017), më shumë që njihet albumi me “gjuhë jashtë”; “Future Nostalgia”, albumi i animacioneve dhe shndërrimit edhe fizik të Duas si një Tinker Bell (2020), album i fokusuar në pop-disco dhe dance; dhe albumi “Radical Optimism” (2024) – albumi i fundit, që shoqëron “Radical Optimism Tour”, me një rritje si personale ashtu edhe muzikore të Dua Lipës.
E filloi në 2015 me këngën “New Love”, ku ishte debutimi i saj për publikun, më pas “Be the One” ishte kënga që e bëri të njohur në Europë (2015–2016) dhe “New Rules”, hiti ndërkombëtar i vitit 2017 që ia ndryshoi jetën dhe karrierën përgjithmonë.
Si në albumet e tjera, edhe në këtë të fundit “Radical Optimism”, çdo tingull që fjalëve u ka dhënë shpirt dhe melodive të cilat të bëjnë të mos mërzitesh kurrë, edhe nëse i dëgjon me dhjetëra herë.
Zakonisht ndodh kur një këngë e dëgjon shumë herë, dikur të bëhet e padëshirueshme, por me këngët e Dua Lipës është ndryshe, sa herë që i dëgjon të bëjnë t’i duash edhe më shumë.
Dua Lipa, Foto: Behare Bajraktari
Rritja Live e Dua Lipës
Rritja e Duas gjatë një dekade, këtu ku është sot, ka ndodhur ditë për ditë dhe pak nga pak. Filloi me koncerte vërtet të vogla në salla e klube të Londrës e më pas në Britani të Madhe dhe në Europë, me një bend ku performonte live, e veshur thjesht, pa megalomani, por që gjithmonë mbrapa saj identifikohej emri me shkronja të mëdha DUA LIPA. Kjo ndodhte për t’u mbajtur mend emri i saj, për t’u vënë re prezenca e saj dhe për t’u vënë re përgjithmonë. Këto koncerte të vogla i dhanë mundësinë të përmirësonte prezencën në skenë dhe të tërhiqte vëmendjen e industrisë muzikore, duke çuar më pas në kontrata me shtëpi të mëdha diskografike, dhe jo vetëm.
Dua “Butterfly Effect”
Zonjusha Lipa po i mahnit të gjithë në të katër anët e globit, për të nuk shkruhen artikuj negativë. Për të nuk flitet për skandale dhe deri më tani mediet flasin dhe raportojnë gjithmonë pozitivisht dhe për origjinalitet. Artistët e mëdhenj të skenës e përcjellin atë me admirim, por edhe të ngecur mbrapa emrit të saj, siç ndodhi së voni në një koncert të Katy Perry, kur këngëtarja Perry tha se po e krahasonin me Duan, edhe pse këngëtarja amerikane është shumë më gjatë në skenë, rast i rrallë dhe thuajse nuk ndodh që dikush ta arsyetojë veten. Ja çfarë efekti ka dhënë Dua, ky është “Butterfly Effect” – “Kujdesi i një fluture që rreh krahët në Brazil e cila mund të shkaktojë një tornado në Teksas javën tjetër”.
Nuk mjafton vetëm të lindësh talent, por Dua është shembull i gjallë se disiplina dhe qëllimi i qartë drejt lartësisë nuk mund të të ndalë askush dhe asgjë. Edhe pse ajo nuk luan asnjë instrument muzikor, megjithatë di të luajë më mirë se kushdo tjetër muzikën, zërin, poezinë, melodinë dhe thellësinë emocionale. Ajo është edhe një performuese ku, duke i bashkuar të gjitha këto në një vend, ka krijuar diçka kaq unike dhe kaq të madhe sa që nuk mundesh ta përkufizosh ndryshe përveç Mega Star From Another Galaxy.
Dua Lipa, Foto: Presidenca e Kosovës
Dua i jep Kosovës paqe dhe siguri
Dua Lipa erdhi në Prishtinë jo vetëm si një yll botëror, por si një forcë që i dha qytetit shpirt, energji dhe kuptim të ri. Me muzikën, praninë dhe vizionin e saj, ajo i solli Kosovës famë ndërkombëtare, siguri, zhvillim ekonomik, stil, modë dhe një komunikim të drejtpërdrejtë me botën, por mbi të gjitha dashuri dhe paqe. Sepse aty ku ka muzikë, festë dhe bashkim njerëzish, nuk ka vend për luftë, por vetëm për harmoni. Muzika e Duas u shndërrua në gjuhë universale që bashkoi mijëra njerëz pa dallim race, gjuhe, prejardhjeje apo statusi shoqëror, duke e bërë festivalin dhe vetë Duan një aset kombëtar dhe simbol të një Kosove moderne, të hapur dhe paqedashëse.
Milionerja e botës erdhi për t’i dhënë shpirt Prishtinës në shumë dimensione
I dha Prishtinës famë, siguri, para, jetë, stil, modë, komunikim me botën dhe mbi të gjitha dashuri dhe paqe. Sepse aty ku ka muzikë, festë dhe argëtim nuk mund të ketë luftë, por vetëm paqe, sepse muzika është gjuha e engjëjve dhe universaliteti ku të gjithë bashkohen pa dallime racore, të gjuhës, as të prejardhjes, as gjinore dhe as të ndonjë kategorie shoqërore apo financiare. Prandaj Dua dhe festivali duhet të konsiderohen si një aset kombëtar.
Pas festivalit në Prishtinë, Dua vazhdoi pjesën tjetër të turneut në Amerikë dhe në Amerikën Latine. Dua Lipa erdhi në Prishtinë për ta ndezur skenën e madhe të Sunny Hill-it, dhe ashtu bëri për ta kujtuar bukurinë e saj skenike, e lindur për të.
Duke qenë se Dua e ka mbajtur një tur botëror para se të vinte në Prishtinë, duke e përfunduar fazën evropiane të turneut “Radical Optimism” më 27 qershor 2025 në Dublin, ka arkëtuar plot 112.3 milionë dollarë nga 44 shfaqje, me 960 mijë bileta të shitura, sipas Billboard Boxscore. Ky ishte edhe turneu më i madh akoma pa e prekur Amerikën! Nga shtatori, Dua pushtoi Amerikën dhe Amerikën Latine, dhe parashikimet treguan se turneu do të arrijë deri në 175 milionë dollarë. Me këto ritme, ajo po e shndërron suksesin në standard të ri në industrinë pop.
Por sa bileta i shiti në Prishtinë? Flasim në serinë tjetër të reportazhit për SHF 2025.
Për t’ju kujtuar se turneu nisi në Azi, i cili grumbulloi 21 milionë dollarë, vijoi në Australi e Zelandë të Re me 17.2 milionë, dhe shpërtheu në Evropë me 74.1 milionë dollarë nga vetëm 23 shfaqje, pra bazuar në këto të dhëna rreth 4 milionë për shfaqje.
Dhe rekordi i dy netëve në stadiumin Wembley, me 151 mijë bileta dhe 19.1 milionë dollarë të ardhura.
Gjatë majit të 2025 u publikua lista e 40 personave të pasur nën 40 vjeç e The Sunday Times, dhe 29-vjeçarja bëri histori si personi më i ri që hyn në listë dhe e vetmja personazh i famshëm nën 30 vjeç.
Dua Lipa ishte e 34-ta në Listën e të Pasurve, e cila përfshinte emra si Ed Sheeran, Georgia Toffolo, Harry Styles dhe Harry Kane, dhe thuhet se ka një pasuri të vlerësuar prej 115 milionë paundësh.
Në vitin 2024, “The Sunday Times Rich List” vlerësoi pasurinë e saj neto në 90 milionë paund, dhe tani, pasuria e saj thuhet se ka tejkaluar 100 milionë paund.
Ylli britanik tash edhe me nënshtetësi kosovare ka grumbulluar tashmë një listë të gjatë hitesh dhe disa çmime të profilit të lartë. Ajo ka tre çmime Grammy, gjashtë Brit Awards dhe dy Billboard Music Awards.
Dua, ëndrra e vajzave të reja
Thuhet se kush guxon të ëndërrojë arrin në maje. Kjo është vërtetuar përmes Duas, ashtu siç po frymëzon shumë vajza të reja anë e kënd botës, ku shumë vajza të reja të bukura, të mençura dhe me plot stil kishin ardhur gjatë verës 2025 në Prishtinë të frymëzuara si nga stili i veshjeve të Duas, po ashtu edhe për kulturën e të mësuarit dhe të lexuarit. Siç e dini, ajo flet për librat dhe shkrimtarët, sepse leximi është pjesë e edukatës së saj. Kjo edukatë mund të ndikojë kaq thellë te rinia kosovare dhe botërore, por edhe nga gurëzit e vegjël me xixa që i ka bërë sinjifikues për festivalin, portretet dhe paraqitjet e saj artistike, vajzat i kishin të vendosura në fytyrat e tyre të bukura. Por ajo çka akoma është më e madhe është se vajzat e reja tashmë e kanë një emër të madh para vetes që mund ta ndjekin si shembull, që falë punës së madhe dhe përkushtimit arrin majat e botës.
Dua Lipa, Foto: Behare Bajraktari
Dua Lipa, Ikonë e modës
Në njëqind minuta këndim në SHF 2025, në skenë, Dua i ndërroi katër veshje, pra i bie ka ndërruar nga një çdo 25 minuta. Secila veshje më e bukur se tjetra dhe janë kaq ikonike sa vetë ajo. Stili që e ka krijuar Dua Lipa është shndërruar në trend botëror. Kjo është një arritje e paimagjinueshme jo vetëm në industrinë e modës, ku është rrethuar me emrat më të veçantë të modës. Siç duket, për këto veshje ikonike fillimisht meritor është italiani Lorenzo Posocco, i cili është bashkëpunëtori kryesor i Dua Lipës për veshjet e skenës gjatë turneve si “Future Nostalgia” dhe “Radical Optimism”. Posocco është stilisti i saj personal që kujdeset për imazhin e saj prej vitesh. Pasuria e saj muzikore është bashkuar me pasurinë e modës dhe stilit, e cila prej vitesh është bërë një nga figurat më të fuqishme të modës dhe muzikës, duke bashkëpunuar me disa nga shtëpitë më prestigjioze të modës botërore, siç janë ‘Versace’, ku Dua ka qenë fytyra e fushatave dhe ka sfiluar për Donatella Versace dhe ka veshur dhjetëra kostume të personalizuara. Pastaj ‘Mugler’, Casey Cadwallader krijoi disa prej veshjeve ikonike të saj për “Future Nostalgia Tour”. ‘Balenciaga’, ku ka qenë ambasadore dhe ka mbajtur veshje të personalizuara në skenë. Me veshjet e ‘Valentino’ në skenë dhe në tapetin e kuq. Pa i përmendur edhe dhjetëra emra të tjerë të shtëpive të modës në botë, ku Dua Lipa është bërë një muzë frymëzimi dhe prezantimi në modën e botës dhe pothuajse çdo paraqitje e saj lidhet me një nga shtëpitë më të mëdha. Asnjë dalje e saj në publik, edhe kur mendohet se është rastësi, më nuk është rastësi. Dua, siç po e shihni në çdo lëvizje, është dollar dhe flori.
Pra edhe veshjet që i pamë në Sunny Hill Festival janë të stiluara enkas për të, ashtu të bukura, ikonike, duke e personifikuar si një dhe të vetme me veshjen me të bardha, veshjen me xixëllima të argjendta, veshjen si qershi dhe veshjen e Versace. Katër veshje në 100 minuta nën dritat xixëlluese të skenës, me ato çizmet tepër spektakulore dhe takat e larta mbi të cilat ecën si një flutur mbi valë uji, pa asnjë pengesë.
Magjia nën takat e Dua Lipës rrezaton deri te fishekzjarret që na dhuruan spektakël dhe zë magjik në festival.
Dua e madhe me emra të mëdhenj
Kush do të mund t’i sillte këta emra të mëdhenj në tokën tonë të vogël dhe me aromë qymyri? Askush. Të jeni të bindur që, përveç shumë parave, duhet të jesh edhe emër i madh për t’ia kthyer botës sytë te Kosova e vogël me emra që ndryshe s’do të mund të vinin as në rajonin tonë. Dua Lipa solli fillimisht në Gërmi e më pas edhe në Bërrnicë emra të mëdhenj të skenës muzikore siç është Martin Garrix, Action Bronson, Gashi, Stanaj, Miley Cyrus, Calvin Harris, Fedez, Regard, J Balvin, Diplo, Stormzy, Bebe Rexha, Burna Boy, DJ Snake, Fatboy Slim dhe Shawn Mendes. Pa i përmendur edhe shumë emra të tjerë të jashtëzakonshëm dhe DJ me famë dhe suksese botërore. Prandaj, shteti ynë duhet të kujdeset që në edicionin e radhës të krijojë edhe më shumë kushte dhe ndihmesa që festivali të bëhet edhe më i mirë, edhe më i madh, sepse të gjithë fitojmë.
Shawn Mendes, Foto: Behare Bajraktari
Shawn Mendes
Ky edicion nuk kishte shumë titullarë, ishte veç Dua Lipa dhe Shawn Mendes, por mbase s’kishte nevojë për më shumë.
Shawn Mendes me kitarë në duar, teksa këndonte në atë skenë të bukur, pa vallëzime, pa koreografi dhe pa valltarë prapa tij, dukej se ai nuk ka nevojë për figurantë të skenës, sepse ai me kaq hijeshi, bukuri dhe zë e këndim fantastik i gjallëronte zemrat me ato drithërima të zërit dhe të notave që i dilnin nga buzët e tij plot hijeshi.
Grupi i tij me 10 anëtarë, ku secili kishte instrumente muzikore, ku dominonte numri i kitarave si instrument kryesor në performancën e tij. Me një veshje të thjeshtë, bluzë pa krahë, por i dukeshin muskujt dhe lëkura e tonifikuar, pantallona të zeza, por tepër të bukura dhe klasike, modern me stil dhe shumë, shumë elegant. Ndërsa flokët e shpupurishura dhe pakëz kaçurrele me ngjyrë kafe që e zbërthenin fytyrën e tij sikur disa personazhe të filmave të animuar japonezë.
U soll në një mënyrë shumë të përzemërt me publikun vendas, duke zbritur afër tyre për t’i përshëndetur, për t’i falënderuar dhe për t’i nderuar. Ai i këndoi disa hite për të cilat publiku kosovar sigurisht i ka dëgjuar vetëm online apo në radio. Shawn Mendes erdhi në Prishtinë falë Dua Lipës dhe fansat e tij e panë live dhe nga afër. Çfarë koncerti fantastik me hite të mëdha siç ishin “Treat You Better”, hit global dhe video shumë e njohur. “There’s Nothing Holdin Me Back”, një nga këngët e tij më energjike, “If I Can’t Have You”, hit pop/disco që pati sukses në toplistat muzikore dhe “Señorita” e ndezi atmosferën në veçanti për vajzat, të cilat s’mund t’i fajësosh që e admironin këngëtarin me paraqitjen dhe zërin e tij sikur vinte nga fundi i valëve të detit dhe më pas të jepte qetësi.
Mendes u emocionua në skenë duke e ndarë me fansat e Kosovës dhe të botës që kishin ardhur aty se kënga “Heart of Gold” është si një homazh për mikun e tij të fëmijërisë, Deijomi, i cili vdiq nga mbidoza kur Shawn ishte 18 vjeç, duke e përshkruar atë si një person me zemër të artë. Kënga u lëshua më 1 nëntor 2024 si pjesë e albumit të tij të pestë “Shawn”.
- Nesër pjesa e dytë e reportazhit: Dua portretizimi më i bukur shqiptar
/Telegrafi/