Nga simbol i suksesit global shqiptar dhe inspirim për të gjitha brezat, te roli i saj në Sunny Hill Festival që shkon përtej spektaklit muzikor, duke reflektuar ndikimin e saj kulturor dhe simbolik, Dua njëkohësisht hap debat mbi ndërthurjen e artit me politikën, transparencën dhe përdorimin e mbështetjes publike në kulturë
Behare Bajraktari,
gazetare & publiciste
Në një kohë kur imazhi i shqiptarëve në arenën ndërkombëtare shpesh është ndërtuar mbi lajme negative, kontradikta politike dhe paragjykime të trashëguara, emri i Dua Lipës ka ardhur si një dritë që e ndryshon rrënjësisht këtë portret. E përmendur nga të rinj e të moshuar, gra e burra, madje edhe nga figura publike të fushave të ndryshme, Dua sot shihet si një nga përfaqësimet më të bukura shqiptare në botë, një zë që bashkon identitetin, modernitetin dhe krenarinë. Ashtu si Shën Nënë Tereza u bë zëri i më të pambrojturve, Dua Lipa është shndërruar në zërin më të fuqishëm muzikor shqiptar global, duke dëshmuar se origjina nuk është kufi, por forcë, dhe se emri i saj tashmë valëzon bukur kudo si simbol i një kombi që di të ëndërrojë dhe të kapërcejë kufijtë.
Dua Lipa: simbol i krenarisë dhe portret i shqiptarizmit global
Të rinj, gra e burra të moshave të ndryshme, politikanë dhe madje edhe teologë e përmendin emrin e Duas, duke thënë se aktualisht dy gra shqiptare janë të famshme: Shën Nënë Tereza dhe Dua Lipa. Çfarë krahasimi për dy gra që kanë karrierë dhe famë diametralisht të kundërt me njëra-tjetrën, por fuqia e tyre i prek zemrat e njerëzve, dhe ajo është zëri. Shën Nënë Tereza u bë zëri i më të varfërve, ndërsa Dua Lipa u bë zëri më i madh muzikor shqiptar në botë dhe mega ylli që njeh zërin dhe prejardhjen e saj.
Viteve të fundit Kosova ka prodhuar mjaft lajme negative për shkak të politikanëve të papërgjegjshëm, korrupsionit, verbërisë fetare, pamjaftueshmërisë liberale në vend dhe disa akteve me bazë religjioni, që për kokë banori Kosova u rendit ndër vendet me përfshirje në ekstremizmin e terrorit. Kur vjen koha e festivalit, krejt kjo fizionomi e Kosovës ndryshon, si nga brenda ashtu edhe nga jashtë. Të rinj të botës vijnë me plot stil dhe individualitet, ndërsa të rinjtë tanë e kanë mundësinë t’i kapërcejnë barrierat për t’i ndjekur ëndrrat e tyre, veshjen, stilin dhe individualitetin, të cilin shpesh të jetuarit në bashkësi ua mbyt fuqinë – atë çfarë janë dhe çfarë duan të bëhen.
E lidhur fort me vendin e prejardhjes, ku akoma flitet për luftën, dhe me lirinë e vendit që e solli atë bashkë me familjen në Kosovë, e më pas pavarësia i krijoi mundësi të reja për punë dhe jetesë në Prishtinë. Por për Duan krejt këto nuk mjaftuan. Ajo kërkoi diçka më të madhe se një skenë në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, aty ku qartë shihet se ka kënduar për herë të parë. Ka pasur diçka mistike që e ka thirrur atë sërish në Londër. Shqiptarja kozmopolite që portretin e shqiptarëve e ka ndryshuar përgjithmonë, si në Londër ashtu edhe në New York, Paris, Tokio, Romë e deri në Australinë e largët dhe Zelandën e Re. Emri i saj është portretizimi më i bukur aktualisht shqiptar në botë, në veçanti për të rinjtë që duan të kapërcejnë kufizimet e rretheve ku jetojnë.
Emri i saj valëzon bukur kudo në botë, ku e thërrasin emrin Dua në dimensione oqeanike; prandaj “dua” duhet të jetë edhe motoja e djemve dhe vajzave tona.
Dua kosovare me dekret – shtetësi e shumëfishtë
Dua Lipa, siç dihet, është e lindur në Londër në vitin 1995, ndërsa në moshën 11-vjeçare ajo u shpërngul në Kosovë, para pavarësisë së vendit, duke jetuar për pesë vite në Prishtinë, dhe në moshën 15-vjeçare u kthye sërish në Londër, aty ku e ka thirrur rruga që po bën sot.
Në vitin 2022 shteti shqiptar ia dha nënshtetësinë Duas dhe familjes së saj, në vitin kur në Tiranë u mbajt një edicion i Sunny Hill Festival, pasi një tjetër ishte mbajtur edhe në Prishtinë. Në atë vit diskutohej pa mëshirë nëse duhej t’i ndahej një lokacion apo jo ku mund të organizohej festivali, dhe madje u bë zhurmë e madhe për dhënien ose jo të shfrytëzimit të pronës për 99 vjet. Në atë edicion të SHF22 që u mbajt në Tiranë, ylli i muzikës botërore Dua Lipa u betua si shtetësja më e re shqiptare para kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në një ceremoni të veçantë. Më pas, së bashku me familjen e saj, ajo u prit edhe nga presidenti Bajram Begaj. “Jam shumë krenare”, tha Dua, e cila gjithmonë ka folur me krenari për origjinën e saj shqiptare. Dua e përmbylli turin e saj botëror “Future Nostalgia” me një koncert falas në sheshin Skënderbej, më 28 Nëntor, Ditën e Pavarësisë.
Duke qenë se Dua Lipa ka dy nënshtetësi, duket se formati më i mirë për një nënshtetësi të tretë ishte me dekret. Edhe pse Britania lejon shtetësi të dyfishtë ose të shumëfishtë, vendosja e shtetësisë me dekret është një praktikë zyrtare në shumë vende, ashtu siç bëri Presidentja e Kosovës për Dua Lipën.
Shtetësia me dekret jepet kur një person plotëson kushtet për marrjen e saj (p.sh. për kontribut të veçantë, merita kombëtare ose rast personal të veçantë) dhe jo përmes procedurave standarde të natyralizimit apo lindjes. Ajo jepet me vendim të autoritetit më të lartë shtetëror, zakonisht Presidentit të Republikës, përmes një dekreti presidencial.
Nga data e shpalljes së dekretit, personi konsiderohet shtetas me të gjitha të drejtat dhe detyrimet që rrjedhin nga ligjet e shtetit. Dua, që në momentin e dekretit, u bë shtetase me të gjitha të drejtat që i takojnë një qytetareje të Kosovës. Megjithatë, deri në publikimin e këtij reportazhi, akoma nuk është bërë publikimi në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.
Foto: Behare Bajraktari
Afeksioni i politikanëve për Duan
Prania e Dua Lipës në Prishtinë nuk u shndërrua vetëm në një ngjarje kulturore e muzikore, por edhe në një arenë ku u reflektua hapur afeksioni i politikanëve për figurën e saj dhe për kapitalin simbolik që ajo përfaqëson. Nga presidentë e kryeministra në Kosovë dhe Shqipëri, deri te drejtues lokalë e ish-zyrtarë komunalë, emri i Duas u përmend, u shoqërua dhe u afrua me pushtetin në forma që ngrenë pyetje mbi kufirin mes mbështetjes institucionale të kulturës dhe përfitimit personal. Ky kapitull trajton pikërisht këtë ndërthurje mes artit, politikës dhe interesit publik, duke hapur debat mbi transparencën, etikën dhe përgjegjësinë ligjore të zyrtarëve në raport me një festival që merr edhe mbështetje nga shteti.
Kur pushteti dhe politika takohen me magjinë e figurës së Duas
Vlerësim për figurën e Duas kanë shprehur edhe Presidentja Vjosa Osmani, Kryeministri Albin Kurti, Kryeministri Edi Rama, Presidenti Bajram Begaj, ish-kryetari i Bashkisë Erion Veliaj, ish-kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti dhe kryetari aktual i Prishtinës, Përparim Rama, ndaj të cilit është krijuar perceptimi se festivali lidhet ngushtë me komunën dhe rolin e tij vendimmarrës.
VIP-të komunalë
Komuna e Prishtinës kishte ndarë një hapësirë goxha të madhe për VIP stage. Pra, zyrtarët komunalë janë trajtuar si VIP, të cilët shërbimin e taksave të qytetarëve e konsiderojnë si një të mirë personale. Këtu kemi një konflikt interesi, por edhe, bazuar në Ligjin nr. 08/L-108 për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë dhe të dhuratave, zyrtarët e shtetit nuk mund të pranojnë dhurata të tilla – kjo nuk është e lejuar.
Ky ligj ka për qëllim përcaktimin e sistemit të deklarimit të pasurisë, duke përfshirë mënyrat dhe procedurat e deklarimit të pasurisë dhe të dhuratave, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë së deklaruar dhe të dhuratave, si dhe subjektet deklaruese, me qëllim parandalimin e korrupsionit, konfliktit të interesit dhe fuqizimin e integritetit të institucioneve publike, përfshirë edhe sanksionimin.
Për Komunën e Prishtinës, dhënia e kësaj hapësire do të duhej të vlente si promovim kulturor për të rinjtë dhe mundësitë për përhapjen e aktiviteteve kulturore dhe të tjera nga të cilat përfitojnë të rinjtë. Sigurisht, duhet të ketë një program të veçantë që lidhet me Kryeqytetin dhe Sunny Hill Festival, dhe jo të personalizohet stenda nga zyrtarët komunalë.
Foto: Behare Bajraktari
Politikanët “belesh”
Edhe sipas ligjit të Republikës së Kosovës, por njësoj edhe sipas praktikave në BE apo në Britani, dhuratat e rastit duhet të deklarohen nga politikanët. Përjashtuar dhuratat protokollare (të sjella nga përfaqësues të shteteve ose organizatave ndërkombëtare), zyrtari nuk mund të pranojë më shumë se një dhuratë të rastit në vit nga i njëjti person ose institucion. Vlera e një dhurate të tillë nuk mund të tejkalojë 50 euro në vendin tonë, ndërsa të gjitha dhuratat e rastit brenda një viti nuk duhet të kalojnë më shumë se 250 euro në total.
Dhuratat protokollare konsiderohen të arsyeshme dhe nuk përfshihen në kufijtë e mësipërm. Ato përfshijnë simbole shtetërore, medalje apo suvenire zyrtare të dhuruara gjatë vizitave diplomatike. Pas pranimit, dhurata protokollare i takon institucionit për të cilin punon zyrtari, pra nuk mund të personalizohet.
Në rastin që po flasim, marrja e biletës VIP nga Sunny Hill Festival, pa e paguar dhe pa e deklaruar nga politikanët apo zyrtarët e shtetit, konsiderohet shkelje. Siç dihet, sipas vetë festivalit, një biletë VIP ka kushtuar 800 euro apo më shumë.
Sa i përket praktikave në Britani, një politikan mund të pranojë bileta VIP edhe nëse vlejnë shumë, por ka rregulla strikte:
Deklarim publik i detyrueshëm: çdo dhuratë mbi 140 paund duhet të regjistrohet në regjistrin publik të interesave financiare.
Shmangia e konfliktit të interesit: nëse dhurata vjen nga një kompani ose individ me interesa politike, mund të konsiderohet përpjekje për ndikim.
Mbajtja e dhuratës: mund të mbahet dhe përdoret vetëm nëse është e deklaruar.
Në Sunny Hill Festival kemi parë shumë politikanë pjesëmarrës, të cilët nuk kanë deklaruar nëse i kanë blerë biletat së bashku me familjarët e tyre apo i kanë marrë falas nga festivali, edhe pse vetë organizatori Dukagjin Lipa ka thënë se nuk ka bileta falas.
Dhënia e 200 mijë eurove si mbështetje për SHF nga taksat e qytetarëve të Kosovës nuk do të duhej të shihej nga zyrtarët e shtetit si një favor personal që më pas të shfrytëzohet për përfitime personale të çfarëdo forme.
100 minutat e Duas
Njëqind përqindëshi u dha nga Dua për fansat e botës në Prishtinë. Në Bërrnicë, që para pak kohe ishte veç një fshat i thjeshtë, ndërsa tash ka identitet botëror, ndër më të kërkuarit edhe në Google Maps.
Dua nuk kurseu asgjë: dha dashuri, emocione, guxim, magji, stil, kërcim me koreografi të përpiktë dhe sensuale. Ajo këndoi live 100 për qind, madje edhe pse dihej se gjithçka po këndohej live, pyeteshim: a është vërtet live Dua? Sepse këndonte kaq bukur, kaq stabile dhe me siguri në atë skenë që e pushtonte cep më cep, si një Tinker Bell plot magji dhe shkëlqim.
Për të mos lënë jashtë skenës edhe çelësin e Duas – babain e saj Dugin, ai u ngjit në skenë me të bijën dhe kënduan së bashku një prej këngëve më të bukura moderne shqiptare, “Era” të grupit Gjurmët, ashtu siç Dua ka bërë në çdo vend duke kënduar një këngë vendase dhe duke ftuar një mysafir special.
Pak para mesnate, kur menduam se gjithçka mbaroi, u ndalën dritat në atë skenë magjike ku ende dëgjohej zëri i një mega artisteje. Dua doli edhe një herë në skenë dhe këndoi disa këngë të tjera. Nuk u kuptua nëse ishte pjesë e planit apo një surprizë spontane për t’i dhënë edhe më shumë shpirt atmosferës, e cila ishte thjesht fantastike për aq kohë sa ajo ishte në skenë.
Ndërsa shpërthenin fishekzjarret dhe performonte Dua Lipa në përfundim të koncertit të saj, secili aty ishte i ekzaltuar dhe nuk donte asgjë tjetër përveç muzikës, vallëzimit dhe magjisë së saj, që na dërgoi në një tjetër galaktikë me këngën “Houdini”. Dritat u ndalën në orën 00:11, pasi për 100 minuta i elektrizoi fansat pa fund.
Dua u largua nga skena dhe publiku u shpërnda sikur të kishte shkuar të merrte diçka në një dyqan dhe më pas të vazhdonte rrugën. Por sigurisht, Dua do të vijë prapë, dhe magjia e festivalit, nga gjithë ajo rini e bukur, do të rikthehet bashkë me botën në Bërrnicën e vogël.
- Nesër pjesa e tretë e reportazhit: Sunny Hill Festival përtej spektaklit