Drejtoria për Bujqësi dhe Zhvillim Rural në Komunën e Malishevës, në bashkëpunim me organizatën “Qatar Charity”, ka shpallur thirrje për aplikim për implementimin e projekteve në sektorin e bujqësisë, të dedikuara për familjet në nevojë në territorin e kësaj komune.
Sipas njoftimit zyrtar, projektet do të realizohen në kuadër të marrëveshjes nr. 01/1413, të datës 18.12.2025, dhe synojnë fuqizimin ekonomik të përfituesve përmes zhvillimit të veprimtarive bujqësore dhe krijimit të mundësive për të ardhura të qëndrueshme dhe vetëpunësim.
Në kuadër të kësaj thirrjeje do të mbështeten këto projekte: sigurimi i shoqërive të bletëve me nga tetë koshere, moto-kultivatorë, si dhe inkubatorë për shpezëtari.
Të drejtë aplikimi kanë familjet që plotësojnë kriteret e përcaktuara nga Drejtoria për Bujqësi dhe Zhvillim Rural. Për informata shtesë lidhur me kriteret dhe dokumentacionin e nevojshëm, aplikuesit mund të drejtohen pranë kësaj drejtorie në Komunën e Malishevës.
Afati për aplikim është nga data 5 mars 2026 deri më 20 mars 2026, në orën 16:00.
Drejtoria thekson se përmes këtij programi synohet të ofrohet mbështetje konkrete për fermerët dhe familjet në nevojë, duke kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm rural në komunë. /Telegrafi/