Drejtori i ekipit kombëtar të Egjiptit, Ibrahim Hassan, i ka bërë thirrje yllit egjiptian Mohamed Salah që të refuzojë një kalim të mundshëm në MLS dhe të vazhdojë karrierën në Evropë.
Salah pritet të largohet nga Liverpool këtë verë si lojtar i lirë, duke nxitur interesim të madh nga disa prej klubeve më të mëdha në botë.
“Personalisht, do të preferoja që ai të qëndronte në Evropë,” u shpreh Hassan për ON Sport. “Kam dëgjuar për oferta nga Paris Saint-Germain, Bayern Munich dhe klube nga Italia”.
Ai paralajmëroi se një transferim në MLS do ta largonte Salahun nga vëmendja e madhe mediatike dhe sportive.
“Një kalim në MLS? Ai do të ishte shumë larg vëmendjes. Nuk do ta mbani mend më shumë se sa unë kujtoj Lionel Messi tani”, shtoi ai.
telegrafi.com
Sipas tij, nëse nuk konkretizohen oferta nga Evropa, një alternativë e pranueshme do të ishte një transferim në Arabinë Saudite, ku aktualisht luajnë yje të mëdhenj si Cristiano Ronaldo.
Ndërkohë, agjenti i Salahut, Ramy Abbas Issa, ka kërkuar kujdes ndaj spekulimeve, duke theksuar se e ardhmja e sulmuesit mbetet e hapur.
“Nuk e dimë ende se ku do të luajë Mohamed sezonin e ardhshëm. Kjo do të thotë se askush tjetër nuk e di,” deklaroi ai.
Pavarësisht një sezoni jo në nivelin e zakonshëm, Salah vazhdon të mbetet një nga emrat më të mëdhenj të futbollit botëror dhe pritet të jetë në qendër të merkatos verore. /Telegrafi/