Ish-zv.kryeministri i parë në Maqedoninë e Veriut, Artan Grubi, është arretuar mëngjesin e sotëm në pikën kufitare “Bllacë”, pasi u vetëdorëzua autoriteteve policore. Kthimi i tij në Maqedoninë e Veriut, ka ngjallur reagime të shumta në opinion. Ish-partia e tij, BDI, këtë hap e vlerëson si pozitiv, ndërsa nga VLEN pyesin nëse Artan Grubi do t’i jep goditjen fatale Ali Ahmetit dhe BDI-së.
Për arrestimin e tij kanë reaguar edhe partitë maqedonase. Nga LSDM kthimin e tij e konsiderojnë si teatër dhe marrëveshje politike.
“BDI vlerëson pozitivisht vendimin e Artan Grubit për t’u kthyer në vend, “duke krijuar kështu mundësinë që përmes një procedure transparente, të drejtë dhe të paanshme të paraqiten të gjitha argumentet në dispozicion dhe të sqarohen të gjitha çështjet. Presim që procesi të zhvillohet në përputhje me standardet më të larta të sundimit të ligjit: para së gjithash, me një nivel të lartë transparence, në përputhje me interesin publik; por mbi të gjitha, me respektim të plotë të prezumimit të pafajësisë dhe me mbrojtje të të drejtave dhe lirive individuale”.
“BDI mbetet e palëkundur në qëndrimin se drejtësia duhet të jetë e barabartë për të gjithë, pa selektivitet, pa standarde të dyfishta dhe pa ndikime politike. Vetëm një procedurë e drejtë dhe profesionale i shërben së vërtetës, institucioneve dhe besimit të qytetarëve. Duke marrë parasysh interesin e lartë politik dhe publik për këtë rast, partia do ta ndjekë me kujdes procesin në të gjitha fazat e tij”, thonë nga BDI.
“A do t’i japë Artan Grubi goditjen fatale Ali Ahmetit dhe BDI-së? Kutia e zezë e qeverisjes së BDI-së më në fund është dorëzuar. Artan Grubi është pjesëmarrës dhe ekzekutor i të gjitha marrëveshjeve të errëta të BDI-së. Prandaj, BDI po dridhet nga frika se nuk e dinë se për çfarë është gati të flasë Artan Grubi. Pasi BDI humbi në mënyrë katastrofale në zgjedhjet lokale dhe të gjitha premtimet e rreme të Ahmetit për zgjedhje të parakohshme dhe hyrje të supozuar në qeveri dështuan, Artani nuk ka zgjidhje tjetër veçse të përballet me mëkatet e veta. Por cilin do ta ngreh me vehte, mbetet për t’u parë”, thonë nga koalicioni VLEN, të cilët janë pjesë e shumicës qeverisëse.
Ndërsa nga LSDM kthimin dhe arrestimin e Grubit e quajnë teatër dhe aludojnë për marrëveshje politike.
“Pas teatrit të sotëm në kufirin e vendit, tashmë është e qartë për të gjithë se arratisja e Artan Grubit ishte një marrëveshje politike. LSDM e njoftoi këtë në dhjetor 2024. Tani është konfirmuar vetëm para syve të opinionit të vendit. Ashtu siç ranë dakord ta lironin, tani kanë rënë dakord ta kthejnë. Në këtë mënyrë, OBRM-PDUKM, me mbështetjen e BDI-së, dëshiron të mbulojë skandalin më të madh të drogës me 5 ton drogë që çon në majën e qeverisë së Mickoskit”.
“Por edhe skandalet e shumta me tenderët kriminalë për të cilët nuk ka pasur përgjigje për më shumë se 80 ditë. 161 tendera për kompaninë familjare të Tomovskit, 51 tendera për “Piramid Building”, 74 tendera për “Lendi Group”, 9 milionë euro për një kompani me dy punonjës, 1.2 milionë euro tendera përmes Postës për një kompani afër me ZNAM”, thonë nga LSDM.
Pas këtij njoftimi të LSDM-së, reaguan edhe nga OBRM-PDUKM, prej ku thanë se “LSDM është nervoze pasi Grubi mund të jep informacione për aferat e Zaevit, Filipçes dhe Spasovskit”.
“E kuptojmë LSDM-në, ata janë nervozë dhe të frustruar sepse Artan Grubi u arrestua dhe tani mund të zbulojnë informacione rreth aferave dhe krimeve për të cilat kanë punuar së bashku me Zoran Zaevin, Vice Zaevin, Oliver Spasovskin, Venko Filipçen. Kjo është arsyeja pse LSDM-ja po përpiqet të fshehë gjurmët dhe në këtë mënyrë të shpëtojë veten”, thonë nga OBRM-PDUKM.
Ndryshe, pas arrestimit Grubi është dërguar në Burgun e Shutkës, ndaj të cilit sipas informacioneve të para, është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve.
Nga Prokuroria Themelore Publike Shkup njoftuan se do të informojnë më tej për mënyrën e vazhdimit të procedurës, përkatësisht kur ai do të paraqitet para prokurorit publik.
Artan Grubi në fund të vitit 2024 u fut në Listën e Zezë Amerikane për korrupsion dhe ndërhyrje në proceset gjyqësore për të shpëtuar Sasho Mijallkovin, pas së cilës ai u tërhoq nga jeta publike.
Pak ditë më vonë, ai u arratis nga vendi, ndërsa kërkohej me fletarrest ndërkombëtar së bashku me ish-drejtorin e Lotarisë Shtetërore Përparim Bajramin, për rastin “Lotaria”.
Që të dy dyshohen se kanë dëmtuar buxhetin e shtetit në vlerë prej mbi 8.2 milion euro. Ata ngarkohen për veprën penale “mashtrim në shërbim” sipas nenit 354 të Kodit Penal, që parashikon dënim me të paktën katër vjet burg./Telegrafi/