Grupet disidente kurde iraniane me bazë në Irakun verior po përgatiten për një operacion ushtarak ndërkufitar në Iran, thanë zyrtarët kurdë për Associated Press.
Khalil Nadiri, një zyrtar i Partisë së Lirisë së Kurdistanit, ose PAK, tha se disa nga forcat e tyre ishin zhvendosur në zonat pranë kufirit iranian, në provincën Sulaymaniyah, në gatishmëri, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Ai tha se SHBA-të u kishin kërkuar kurdëve irakianë të mbështesnin një operacion të mundshëm kundër Iranit.
Një zyrtar i Komala, një tjetër grup kurdo-iranian, tha se forcat e tyre ishin gati të kalonin kufirin brenda një jave deri në 10 ditë dhe po “presin që terreni të jetë i përshtatshëm”.
Kurdët janë një pakicë e konsiderueshme në Turqi, Siri, Irak dhe Iran, veçanërisht në rajonet perëndimore.
Nëse disidentët kurdë do të bashkoheshin me luftën, kjo do të ishte hyrja e parë e një force të madhe tokësore.
Kujtojmë se Karoline Leavitt, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, mohoi më parë se Donald Trump kishte dhënë dritën jeshile për planet e bashkëpunimit me forcat kurde.
Leavitt tha, megjithatë, se presidenti amerikan “foli me udhëheqësit kurdë në lidhje me bazën tonë që kemi në Irakun verior”.
Media të huaja kanë raportuar më parë se Uashingtoni po përgatitej të mbështeste forcat kurde për një operacion tokësor në Iran “në ditët në vijim”.
Sekretari i mbrojtjes Pete Hegseth gjithashtu duket se u distancua nga ky raport, duke thënë se asnjë nga objektivat e SHBA-së “nuk bazohet në mbështetjen e armatosjes së ndonjë force të veçantë”.
Por ky operacion, sipas një burimi të cituar nga CNN, mund të zhvillohet “në ditët në vijim”.
Në qendër të tij mund të jetë populli kurd, i cili është vendas në Lindjen e Mesme, por nuk ka shtet të vetin.
Sipas Sky News, me një numër deri në 45 milionë banorësh, ata njihen si populli më i madh pa shtetësi në botë, por kanë fituar një shkallë autonomie brenda kufijve të vendeve të tjera.
Kurdët, një popull kryesisht mysliman, janë bashkuar me SHBA-në vitet e fundit për t’iu kundërvënë kërcënimit të të ashtuquajturit Shtet Islamik, duke siguruar forca luftarake në terren. /Telegrafi/