“Ndihma shtetërore duhet të jetë e destinuar në mënyrë të qartë, ekonomikisht e justifikuar dhe në funksion të konkurrencës dhe rritjes së qëndrueshme”, tha ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, në panel diskutimin rajonal me temë: “Përforcimi i menaxhimit të ndihmës shtetërore në Ballkanin Perëndimor: transparenca, efektiviteti dhe harmonizimi me BE-në” organizuar nga “Finance Think”.
Në fjalimin e saj, ministrja theksoi se çdo denar nga Buxheti duhet të ketë justifikim ekonomik dhe qëllim të qartë zhvillimor, duke shtuar se politika fiskale bazohet në konsolidimin fiskal dhe në rritjen e përshpejtuar ekonomike – qëllime të ndërlidhura.
“Disiplinë fiskale do të thotë reduktimi i shpenzimeve joproduktive dhe destinimi i mjeteve aty ku ato do të krijojnë vlerë të shtuar më të madhe. Në kuadër të kësaj, ndihma shtetërore është instrument që duhet të hartohet me kujdes, i targetuar dhe vlerësuar në vazhdimësi”, theksoi ministrja.
Ajo theksoi se ndihma shtetërore nuk duhet të jetë barrë për financat publike, por duhet të jetë investim në konkurruencë dhe rritje e qëndrueshme. Sipas të dhënave nga Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës, ndihma shtetërore në vitin 2023 ishte 206 milionë euro ose rreth 1.5% e PBB-së, ndërsa në vitin 2024 ishte 235.2 milionë euro ose 1.52% të PBB-së, gjë që thekson nevojën për nivel të lartë llogaridhënieje dhe transparence.
Ministrja theksoi se indikatorët ekonomikë konfirmojnë efektet pozitive të përkrahjes së investimeve. Për pesë tremujorë radhazi, ekonomia ka shënuar rritje prej rreth 3%, me ç’rast rritja në tremujorin e tretë të vitit 2025 arriti në 3.8%, ndërsa investimet bruto u rritën me 30.6%, kryesisht si rezultat i rritjes së aktivitetit të sektorit privat.
Njëkohësisht, Qeveria ka siguruar 250 milionë euro mjete të volitshme për përkrahjen e projekteve investuese të kompanive, si dhe 250 milionë euro të tjera për projekte kapitale në komuna, me qëllim nxitjen e aktiviteteve ekonomike dhe zhvillimin rajonal më të barabartë.
Duke theksuar se transparenca është aspekt i rëndësishëm, ministrja shtoi se Qeveria po punon në vendosjen e sistemit i cili do të evidentojë në mënyrë të centralizuar të gjitha shpenzimet që shpërndahen si ndihmë shtetërore. Ajo sqaroi se momentalisht të dhënat e ndihmës shtetërore janë ndarë në shumë institucione dhe se mungon sistemi i vetëm i centralizuar që do të mundësonte një analizë më të mirë, koordinim më të mirë mes institucioneve dhe planifikim më efikas të burimeve.