Platforma për verifikim faktesh Hibrid.info ka publikuar raportin “Rezilienca ndaj dezinformatave gjatë periudhës zgjedhore në Kosovë”, duke evidentuar trendet kryesore të keqinformimit gjatë zgjedhjeve qendrore dhe lokale të fundvitit 2025.
Raporti, i publikuar me mbështetjen e Bashkimi Evropian, mbulon periudhën nga 9 tetori deri më 31 dhjetor 2025 dhe analizon përmbajtje në gjuhën shqipe, serbe dhe angleze. Ai identifikon format kryesore të dezinformimit dhe narrativat që kanë qarkulluar gjatë kësaj periudhe.
Në fjalën hyrëse, ushtruesja e detyrës së Shefes së Zyrës së BE-së në Kosovë, Eva Palatova, theksoi se mbrojtja e hapësirës informative është thelbësore për demokracitë e qëndrueshme.
“Adresimi i dezinformimit kërkon përpjekje të përbashkëta, institucione të forta, media të pavarura dhe qytetarë të informuar”, u shpreh ajo.
Sipas hulumtuesit të Hibrid.info, Festim Rizanaj, monitorimi ka përfshirë tri kategori burimesh: mediat sociale, mediat vendore online dhe mediat apo zyrtarët serbë dhe rusë.
Gjatë analizës së rreth 7 mijë publikimeve, janë identifikuar 103 përmbajtje relevante që lidhen me zgjedhjet, çështjet ndëretnike dhe manipulimin e informacionit nga jashtë (FIMI).
Raporti konstaton se lajmet e rreme, sondazhet e fabrikuara, deklaratat e paverifikuara dhe materialet e manipuluara vizualisht kanë qenë format më të shpeshta të keqinformimit, me potencial për të ndikuar në perceptimin publik dhe besimin në procesin zgjedhor.
Një theks i veçantë i kushtohet edhe ndikimit të jashtëm në hapësirën informative. Sipas Rizanajt, narrativa të prodhuara jashtë Kosovës kanë synuar të ndikojnë diskursin publik dhe të nxisin polarizim, veçanërisht në temat ndëretnike dhe të sigurisë.
Raporti evidenton gjithashtu rritjen e përdorimit të përmbajtjeve të gjeneruara me inteligjencë artificiale gjatë periudhës zgjedhore, duke theksuar nevojën për mekanizma më të qartë identifikimi dhe verifikimi të përmbajtjeve digjitale, si dhe për rritjen e vetëdijes publike.
Ndër rekomandimet kryesore të raportit janë integrimi i vlerësimit të rrezikut nga FIMI në monitorimin zgjedhor, forcimi i bashkëpunimit ndërmjet organizatave të fact-checking-ut dhe institucioneve, si dhe monitorimi i vazhdueshëm i mediave sociale dhe burimeve të jashtme të informacionit. Po ashtu kërkohet rritje e përgjegjësisë redaktuese dhe bashkëpunim më i madh me platformat digjitale për adresimin e përmbajtjeve problematike.
Në panelin diskutues që pasoi publikimin e raportit, kryetari i Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, tha se institucioni që ai drejton ndërhyn kur dezinformimi lidhet drejtpërdrejt me procesin zgjedhor, përmes informimit dhe reagimeve publike.
Ndërkaq, koordinatorja nacionale për zgjedhje nga Prokuroria e Shtetit, Laura Pula, theksoi sfidën e reagimit të shpejtë ndaj lajmeve të rreme dhe identifikimit të autorëve në rrjetet sociale, duke vënë në pah se shpërndarja e shpejtë e dezinformatave shpesh e tejkalon reagimin institucional.
Nga Policia e Kosovës, togeri Visar Pacolli, theksoi vështirësinë në identifikimin e profileve anonime dhe rikthimin e tyre në platformat sociale, duke nënvizuar se vetëdijesimi i qytetarëve mbetet sfida kryesore.
Ndërsa ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të Komisioni i Pavarur i Mediave, Niman Racaj, vlerësoi se edukimi medial duhet të bëhet prioritet strategjik shtetëror, duke theksuar vështirësinë e rregullimit të hapësirës online në krahasim me mediat tradicionale.
Hibrid.info njofton se do të vazhdojë monitorimin e fenomenit të keqinformimit, me synim forcimin e reziliencës së shoqërisë dhe mbrojtjen e integritetit të informacionit publik në Kosovë./Telegrafi.
