Trajneri i Spanjës, Luis de la Fuente, e përshkroi fitoren 1-0 ndaj Portugalisë në raundin e 16-të të Kupës së Botës si një “finale para finales”, duke vlerësuar karakterin dhe paraqitjen e skuadrës së tij.
Spanja siguroi kualifikimin në çerekfinale falë golit të Mikel Merinos në minutat shtesë, në një përballje të luftuar deri në sekondat e fundit.
“Ishte vërtet një ndeshje fantastike, një finale para finales. Siç e prisnim, vuajtëm deri në momentin e fundit”, deklaroi De la Fuente pas ndeshjes.
Tekniku spanjoll theksoi se ekipi i tij zhvilloi një ndeshje shumë të kompletuar, ndërsa meritën më të madhe ia atribuoi futbollistëve që u aktivizuan nga stoli.
“Luajtëm një ndeshje shumë të kompletuar. Lojtarët më të rëndësishëm ishin ata që hynë nga banka rezervë”, u shpreh ai.
Mikel Merino u inkuadrua në lojë në minutën e 85-të dhe vetëm pak minuta më vonë realizoi golin e fitores. Edhe Ferran Torres, i futur në pjesën e dytë, luajti rol vendimtar duke asistuar te goli i Merinos.
De la Fuente zbuloi edhe bisedën që pati me Merinon përpara se ta aktivizonte.
“I thashë të luante si gjithmonë, të ndihmonte në mesfushë dhe të sulmonte. Po mendonim t’i jepnim ekipit më shumë ritëm për kohën shtesë. Kontributi i lojtarëve ishte i shkëlqyer”, tha ai.
Me këtë fitore, Spanja avancon në çerekfinale të Kupës së Botës, ku do të përballet me fituesin e duelit mes Shteteve të Bashkuara dhe Belgjikës, në garën për një vend në gjysmëfinale.
