Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka njoftuar se nga sot hyn në fuqi vendimi i ri për përcaktimin e çmimit maksimal ditor të derivateve të naftës në tregun vendor.
Ministrja Mimoza Kusari-Lila ka shpjeguar se vendimi ka për qëllim rritjen e transparencës dhe parashikueshmërisë në formimin e çmimeve.
“Ky vendim vjen si rezultat i analizës së vazhdueshme të tregut të derivateve, përmes të dhënave të importit dhe monitorimit të lëvizjeve të çmimeve në tregun ndërkombëtar, si dhe vlerësimeve të institucioneve mbikëqyrëse të tregut”, thuhet në njoftim.
Në bazë të mekanizmit të ri, Ministria do të publikojë çdo ditë, jo më vonë se ora 10:00, çmimin maksimal të lejuar për shitjen e derivateve në tregun vendor. Për datën 05.04.2026, çmimet maksimale janë: Nafta (dizel): 1.86 euro/litër dhe Benzina: 1.49 euro/litër
MINTI ka theksuar se asnjë operator ekonomik nuk lejohet të tejkalojë çmimin maksimal ditor të publikuar.
“Për zbatimin e këtij vendimi do të rritet mbikëqyrja në terren nga Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës dhe Administratën Tatimore të Kosovës, si dhe në koordinim me Autoritetin e Konkurrencës”, thuhet në njoftim.
Ministria ka bërë thirrje për respektim rigoroz të vendimit.
“Këto masa nuk kanë për qëllim të dëmtojnë apo të sanksionojnë asnjë subjekt ekonomik. Ato janë të hartuara për të siguruar barazi në treg, për të mbrojtur konsumatorin dhe për të reflektuar kujdes të shtuar në një periudhë të ndjeshme të luhatjeve dhe pasigurive në tregjet globale të derivateve të naftës”, theksohet më tej.
Vendimi synon të sigurojë një treg funksional dhe të qëndrueshëm, duke shmangur luhatjet e menjëhershme dhe të paarsyeshme të çmimeve me pakicë. /Telegrafi/