Manchester City dhe Nottingham Forest ndanë pikët në një barazim 2-2, në një përballje intensive që i takoi javës së 29-të në Ligën Premier, e cila prodhoi raste, polemika dhe kthesa të shpejta në rezultat.
Skuadra vendase kaloi në epërsi në minutën e 31-të, kur Antoine Semenyo realizoi me një goditje të saktë nga brenda zonës pas asistit të Rayan Cherki, duke mbyllur pjesën e parë me avantazhin minimal 1-0.
Nottingham reagoi menjëherë pas pushimit.
Në minutën e 57-të, pas një topi të devijuar me kokë nga Igor Jesus, Morgan Gibbs-White shfrytëzoi momentin për të barazuar shifrat në 1-1.
Manchester City riktheu epërsinë në minutën e 62-të.
Pas një goditjeje nga këndi të ekzekutuar nga Rayan Ait-Nouri, Rodri u shkëput më lart se të gjithë dhe me kokë dërgoi topin në rrjetë për 2-1.
Megjithatë, mysafirët nuk u dorëzuan dhe në minutën e 76-të rikthyen baraspeshën.
Callum Hudson-Odoi asistoi për Elliot Anderson, i cili me një goditje të fuqishme nga distanca mposhti portierin për rezultatin përfundimtar 2-2.
Takimi u shoqërua edhe me disa episode të diskutueshme, ku Erling Haaland kërkoi penallti në dy raste, por gjyqtari Darren England lejoi vazhdimin e lojës.
Në përfundim, barazimi 2-2 pasqyroi më së miri ekuilibrin e shfaqur në fushë gjatë 90 minutave. /Telegrafi/