Çifti shqiptar Mërgim dhe Arta Klimenta kanë shënuar një sukses të rëndësishëm në tregun gjerman, duke siguruar një investim prej 100 mijë eurosh nga një investitor në Gjermani për zhvillimin e biznesit të tyre inovativ.
Marrëveshja u arrit gjatë pjesëmarrjes së tyre në emisionin e njohur gjerman “Die Höhle der Löwen”, versioni gjerman i formatit të famshëm “Shark Tank”.
Para një audience milionëshe dhe një paneli investitorësh të fuqishëm, ata prezantuan produktin e tyre NYLAM, i cili menjëherë tërhoqi vëmendjen dhe interesin e tyre.
NYLAM është një sprej i veçantë që përdoret për të mbrojtur getat e holla nga grisjet, duke rritur ndjeshëm qëndrueshmërinë e tyre dhe duke ofruar një zgjidhje praktike për një problem të njohur te shumë gra.
Mërgim Klimenta në një prononcim për Telegrafin ka thënë se ideja për këtë produkt lindi pikërisht nga përvoja personale e Artës.
Klimenta tregoi se edhe pse çifti është me origjinë nga Peja, ata jetojnë dhe veprojnë në Gjermani, ku edhe kanë zhvilluar idenë e biznesit.
Ai theksoi se pas identifikimit të problemit, ata bashkëpunuan me një kimist në Gjermani për të krijuar formulën e produktit, duke kaluar nëpër faza testimi dhe zhvillimi deri në krijimin e prototipeve të para.
“Fillimisht nisëm me shitje online, por shumë shpejt e kuptuam që na duhej mbështetje për t’u futur fuqishëm në tregun gjerman. Kështu vendosëm të aplikojmë në emisionin ‘Die Höhle der Löwen’, ku edhe arritëm të bindim investitorët”, u shpreh ai.
Gjatë prezantimit në emision, Klimenta tha se realizuan një demonstrim të drejtpërdrejtë të produktit, duke treguar efektin e spray-it në mbrojtjen e getave nga grisja.
Ky demonstrim siç tha ai rezultoi vendimtar për të bindur investitorët, duke bërë që dy prej tyre të shprehnin interes.
Klimenta tregoi që ata zgjodhën vetëm njërin për bashkëpunim.
“100 mijë euro investim në këmbim të 30 për qind të aksioneve të kompanisë, për të përmirësuar dizajnin dhe të hyjmë në tregun gjerman si në shitjet online po ashtu edhe në dyqane”, tha ai.
Klimenta theksoi se aktualisht, NYLAM është i pranishëm në tregjet e Gjermanisë, Austrisë dhe Zvicrës, ndërsa planet për zgjerim janë edhe më ambicioze.
I pyetur se a synojnë që produkti të jetë i disponueshëm edhe në Kosovë ai tha: “Po, dhe jemi në kërkim të distributorëve të interesuar”.
Klimenta theksoi se kërkesa për produktin është e madhe, megjithëse sfidë mbetet fakti që bëhet fjalë për një inovacion të ri, për të cilin konsumatorët ende nuk janë plotësisht të vetëdijshëm.
Ai gjithashtu bëri të ditur se ideja është e patentuar dhe e mbrojtur ligjërisht.
Përveç aspektit praktik, ai tha se NYLAM adreson edhe një çështje të rëndësishme mjedisore.
“ Getat, të cilat prodhohen nga najloni, kontribuojnë në ndotjen e ambientit për shkak të konsumit të shpeshtë dhe jetëgjatësisë së shkurtër. Duke rritur qëndrueshmërinë e tyre, ky produkt ndihmon në reduktimin e mbeturinave”, u shpreh Klimenta.
Për Mërgimin dhe Artën, përvoja në emision ishte njëkohësisht emocionuese dhe sfiduese.
“Ishte shumë stresuese të prezantonim para miliona shikuesve, por në fund ia dolëm dhe arritëm qëllimin tonë”, tha ndër të tjera Klimenta për Telegrafin. /Telegrafi